Zjarret në pyje, askush nuk po e vë ujin në zjarr!

Shqipëria

Zjarret në pyje, askush nuk po e vë ujin në zjarr!

Më: 2 gusht 2020 Në ora: 19:06
Foto

Prej ditësh mali i Kakarriqit në Lezhë digjet nga zjarret e shumta.
Është e pamundur të mos kesh zjarre në pyje në verë, pasi me apo pa dashje zjarre ka patur dhe do ketë.

Por të kesh zjarr në një prej burimeve më të rëndësishëm të planetit dhe të mos e vësh ujin në zjarr, kjo ndodh vetëm në Shqipëri.

Në vitin 2014 qeveria vendosi që të transferojë të drejtën e menaxhimit dhe adminstrimit të pyjeve tek bashkitë. Një vendim ky jo vetëm i nxituar, por edhe me kosto karastrofike në drejtim të reduktimit të këtij burimi.

Me disa përjashtime të vogla, asnjë bashki nuk ka patur dhe nuk do të ketë kurrë kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar pyjet.

Edhe në ato bashki të cilat kanë një strukturë modeste pyjore, pjesa me e madhe e stafit nuk ka asnjë lidhje me pyjet. Specialistët e pyjeve (ndryshe nga sa thotë kryeministri) shesin fara luledielli, sepse nuk ka vend pune për to. Punë ka për militantët jo-specialistët që as dinë, as munden e as kanë mundësi të bëjnë ndonjë gjë për pyjet. 

Bashkitë nuk kan financa për të menaxhuar pyjet. Ose e thënë troç, asnjë bashki nuk është e interesuar për pyjet. Nuk i bëhet vonë!
Pyjet konsiderohen mall pa zot, anipse na japin oksigjenin që na mundësin jetën tonë të përditshme, na sigurojnë ngrohjen në dimër, na mbrojnë fshatrat e rrugët që të mos rrëshqasin, sigurojnë kullotje për dy milion krerë bagëti, ofrojnë shërbime në ekosisteme etj. etj.

Qeverisë nuk i është bërë dhe nuk i bëhet vonë për pyjet. Pavarësisht se mbulojnë 2/3 e territorit të vendit, në ministri janë vetëm 3 persona që merren me çështjet e pyjeve. Kaq mjafton për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë që i kushtohet pyjeve në Shqipëri.

Kemi struktura e super-struktura, kemi agjensi e inspektoriate, kemi stafe e logjistikë por asgjë për pyjet. Asgjë për të mirën publike. Asgjë për të ardhmen, asgjë për zhvillimin. Asgjë për atë se çfarë po ju lëmë brezave!
Mali i Kakarriqit dhe shumë male të tjera në Shqipëri digjen sepse nuk kemi struktura për pyjet, sepse Shërbimi Pyjor Shqiptar është shkatërruar në themel, me kohë. 

Bashkitë nuk kanë as dëshirë e as mundësi që të merren me pyjet. Përsa kohë pyjet nuk flasin, askush nuk don të merret me to.

Menaxhimi i pyjeve nga bashkitë është një shpikje shqiptare, e cila si e tillë është një idiotizëm ‘made in Albania’. Askush si ne, askush kaq armiqësorë me natyrën sa ne, askush kaq dritë-shkurtër sa ne…madje edhe armiqtë tanë më të urryer do të na kishin zili mbi atë se çfarë i kemi bërë dhe po i bëjmë natyrës tonë.

Askush nuk e ka seriozisht me pyjet, askush. Të gjitha ‘strukturat’ dhe ‘superstrukturat’ tona në nivel kombëtar, kanë bërë aq punë sa ka bërë komuna e Pejës në Kosovë per 3 muaj. Ky është realiteti i hidhur i përkushtimit tonë ndaj pyjeve dhe natyrës.

Brezave po ju lëmë tokë të shkretë, male e pyje të djegura. Po ju lëmë një natyrë të cilën edhe pushtuesit e kanë trajtuar shumë më mirë se vetë ne, ‘patriotët’ dhe ‘nacionalistët’ e internetit.

Do duhen dekada e shekuj që të kthejmë ekuilibrin tashmë të prishur, për pyjet dhe natyrën tonë. Kuptohet që ajo të ndodhë, duhej të kishte filluar dekada më parë. Por ne as e kemi ndërmend ta bëjmë. 

Ne vazhdojmë ti djegim e shkatërrojmë pyjet. Vazhdojmë të paguajmë mercenarë në vend të specialistëve, vazhdojmë të vjedhim ditët e jetëve tona, vazhdojmë të vjedhim të ardhmen e brezave tanë si askush tjetër në Evropë e botë.

Ne jemi shqipet që për një foto në internet djegim folenë tonë.
Ne jemi ‘atdhetarët’ e internetit që të nxjerrim sytë për partinë, por i vemë zjarrin pa asnjë problem shpisë tonë.

Media është e fokusuar te politika dhe djegia e pyjeve dhe shkatërrimi i mjedisit nuk janë në axhendën e tyre. Nuk janë bjznes për to. Ndaj dhe kemi kaq pak lajme për zjarret në pyje apo shkatërrimin e mjedisit.

Nëse nuk është biznes dhe nëse dikush nuk fiton lek, nuk ka lajme për pyjet dhe as për mjedisin. Ka vetëm vjedhje të oksigjenit tonë, në heshtje.

Për ta mbyllur po citoj një shprehje të Guy McPherson, profesor i njohur në Arizona;
“Nëse mendoni se ekonomia është më e rëndësishme se mjedisi, përpiquni të mbani frymën ndërsa numëroni paratë tuaja”.

Janë pyjet dhe mjedisi ato që na mundësojnë jetën tonë, të cilën me shqiptarët po e shpenzojmë pikërisht për ti shkatërruar ato.

Kakarriqi vazhdon e digjet. E vetmja shpresë mbetet shiu, që zor se do duket. Bashkitë dhe qeveria nuk e kanë aspak në axhendë djegien e pyjeve.

Ne e kemi vëmendjen te këshilli politik, ngjyra e fletës së votimit apo të pabredëshmet e kushedi se kujt këngëtareje tallavaje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat