Raporti i Standard & Poor’s, Tabaku: Qeveria mori vlerësim negativ për shkak të PPP-ve dhe borxhit publik

Shqipëria

Raporti i Standard & Poor’s, Tabaku: Qeveria mori vlerësim negativ për shkak të PPP-ve dhe borxhit publik

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 07:55
Jorida Tabaku

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar ashpër pas publikimit të raportit të Standard & Poor’s, ku ka theksuar se Shqipëria rrezikon tkurrjen e ndjeshme gjatë këtij viti.

Gjatë një postimi në rrjetin social Facebook, Tabaku u shpreh se qeveria shqiptare nuk ka as ndjeshmërinë dhe as vizionin për të ndërmarrë reforma reale strukturore. Sipas saj, raporti i S&P është kritik ndaj sjelljeve të qeverisë ndaj PPP-ve.

“Raporti i fundit i S&P vazhdon të jetë kritik ndaj qeverisë dhe sjelljes së saj në raport me rreziqet me të cilat përballet ekonomia shqiptare. Parashikimi për një kontraktim të ekonomisë me 6.5% të PBB-së, i afrohet përherë e më shumë parashikimit për një rënie ekonomike sa 9% e PBB-së. Vlerësimi konstant i raportit vjen si pasojë e ndihmës ekonomike në formën e REPO që Banka Qendrore Europiane dhe gjithashtu FMN i kanë dhënë Shqipërisë. Raporti kritikon sjelljen e qeverisë ndaj PPP-ve, duke qenë një tjetër zë me peshë që nënvizon rrezikun fiskal dhe buxhetor të PPP-ve. Situata është më e errët se sa përpjekjet e qeverisë për ta bojatisur atë në media. Raporti nënvizon dhe evidenton se do të ketë ulje të vlerësimit nëse ka përkeqësim të mëtejshëm, si pasojë e ekonomisë informale, rritjes së deficitit, dhe gjithashtu problemeve me borxhet e fshehura”, tha Tabaku. Ish-deputetja demokrate shtoi më tej se Shqipëria ishte i vetmi shtet që mori vlerësim negativ, duke shtuar se borxhi publik ka qenë një nga faktorët kryesorë. “S&P nuk ka dhënë asnjë vlerësim negativ për asnjë vend që ka rishqyrtuar. Ajo ka paralajmëruar një qeveri që ka keqpërdorur buxhetin dhe ka rritur rrezikun nga PPP-të. Me një deficit fiskal në rritje, borxh publik 80% e PBB, dhe me rrezikun fiskal të PPP, situata është më e errët. Qeveria nuk ka as ndjeshmërinë dhe as vizionin për të ndërmarrë reforma reale strukturore. Sot ekonomia ka nevojë për frymëmarrje, ka nevojë për ndryshim, ka nevojë të punojë për shumicën e shqiptarëve e jo për pakicën, ka nevojë për një reformë tërësore që qeveria në ikje nuk e bëri dot kurrë, madje as në fillimet e saj! Për këtë arsye, plani i Partisë Demokratike është për një taksë të sheshtë që të ulë informalitetin, të reduktojë pabarazinë dhe të vlerësojë punën e ndershme”, u shpreh Tabaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat