U raportua se u mbyten: Shpëtohen tre persona në Himarë nga stuhia - Bota Sot
U raportua se u mbyten: Shpëtohen tre persona në Himarë nga stuhia

Shqipëria

U raportua se u mbyten: Shpëtohen tre persona në Himarë nga stuhia

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 11:30
Himarë

Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare njoftojnë se kanë shpëtuar tre persona që rrezikuan të mbyteshin në det, të cilët kishin dalë për peshkim me një mjet të vogël lundrues, i cili u fundos. Ndërkohë vijon kërkimi intensiv në det, për gjetjen edhe të një shtetaseje që ishte në bordin e këtij mjeti lundrues, e cila dyshohet se është mbytur. Fillimisht u raportua se dy persona ishin mbytur, por fatmirësisht janë shpëtuar nga autoritetet.

“Shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin në Gjipe. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë. Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit R. R., F. R. dhe A. R., ndërsa shtetasja M. R. nuk është gjetur ende. Vijojnë  kërkimet  intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare. Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën”, tha Policia.

Era e fortë dhe reshjet e shiut kanë krijuar një situatë të vështirë në qytetin e Himarës. Pushuesit e shumtë kanë boshatisur plazhet, pasi era e fortë me shpejtësi deri në 80 kilometra në orë, shoqëruar me reshje, ka shkulur edhe çadrat e plazheve. Siç duket edhe nga pamjet, edhe deti është mjaft i dallgëzuar. Kapitaneria e Vlorës ka njoftuar bllokimin e daljes në det të mjeteve të vogla lundruese.

Ndërkohë, reshjet e shiut kanë prekur thuajse të gjithë vijën bregdetare të vendit. Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Velipoja gjithashtu janë zgjuar nën pushtetin e shiut. Ndërkohë reshjet kanë prekur edhe zonën e Kukësit, kanë krijuar probleme kryesisht në qarkullimin e mjeteve. Situata me reshje ka ndihmuar veçanërisht zonat ku prej disa ditësh ishin aktive vatrat e zjarreve, duke i shuar ato.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat