Katër vetë në mes të stuhisë në detin në Dhërmi, gruaja nxirret e vdekur

Shqipëria

Katër vetë në mes të stuhisë në detin në Dhërmi, gruaja nxirret e vdekur

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 12:19
Trupi i pajetë i Mirela Ramës, u nxorr rreth orës 11.30 të ditës së sotme

Dalin detaje të reja lidhur me pjesëtarët e një familje të bllokuar në një gji në Dhërmi, si pasojë e detit të trazuar prej motit të keq, ku tre vetë u shpëtuan, ndërsa gruaja u mbyt në det.

Trupi i pajetë i Mirela Ramës, u nxorr rreth orës 11.30 të ditës së sotme, rreth një milje nga vendi ku u përmbys varka.

Lidhur me ngjarjen u deklarua zyrtarisht se shërbimet e Policisë kufitare Dhërmi kanë marrë një telefonatë se një mjet lundrues ka dalë në det për peshkim dhe si pasojë e dallgëve të mëdha dhe motit të keq personat që ishin në bord rrezikonin të mbyteshin.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë dalë me mjetin lundrues menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kanë njoftuar edhe rojën bregdetare për ndihmë.

Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen Robert Rama, Fatjon Resulaj, dhe Avdyl Rama, ndërsa gruaja Mirela Rama, u gjet e mbytur nga kërkimet intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare.

Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

I mbijetuari Fatjon Resulaj, duke folur për mediat ka treguar se u nisën në orën 06.00 nga moli i Himarës, pasi ishte mot i mirë, dhe se stuhia filloi brenda dhjetë minutash.

“Ishim katër vetë. Ishte shoku im së bashku me djalin dhe nusen e tij. Gruaja është e humbur dhe vazhdojnë kërkimet. Pasi u përmbys anija, ne u mbajtëm tek anija fort. Djali u përpoq që të shpëtojë nënën, edhe ne, por situata ishte e rëndë shumë. Kemi bërë 5 kilometra rrugë dhe donim që ta shpëtonim, por ishte shumë e vështirë, mund të na rrëmbente rryma edhe neve”, u shpreh Resulaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat