Covid-19, 1600 mjekë të familjes po ndjekin pacientët e karantinuar në banesa

Shqipëria

Covid-19, 1600 mjekë të familjes po ndjekin pacientët e karantinuar në banesa

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 17:18
Ogerta Manastirliu tha se në dispozicion në të gjithë Shqipërinë janë 1600 mjekë familje

Përveç mjekëve që janë në frontin e parë të “luftës” me koronavirusin në spitale, një tjetër rol të rëndësishëm kanë dhe mjekët e familjes.

Detyra e tyre është ndjekja e çdo pacienti që ka simptoma të lehta dhe të cilët qëndrojnë në shtëpi të izoluar.

Gjatë një vizite të ministres së shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ajo tha se në dispozicion në të gjithë Shqipërinë janë 1600 mjekë familje.

“Është një punë e madhe që po bëhet nga mjekët e familjes. Janë më shumë se 1600 mjekë të angazhuar në gjithë territorin e Shqipërisë. Në Tiranë, ku është dhe numri më i madh i të prekurve aktivë, mjekët e familjes po luajnë një rol kyç, për ndjekjen e ecurisë në rastet e pacientëve të prekur nga Covid19, të cilët janë duke u trajtuar në banesë. Më shumë se 1 mijë pacientë, janë duke u trajtuar dhe duke u ndjekur nga mjeku i familjes”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit në qendrën shëndetësore nr.10, Ministrja e Shëndetësisë tha se ndjekja e pacientëve po kryhet sipas protokolleve të përcaktuara. Ajo shprehet se aktualisht në të gjithë territorin janë të paktën 2500 raste aktive.

“Në të gjithë Shqipërinë janë mbi 2500 raste aktive. Rreth gjysma e tyre janë me simptoma, pra janë duke u ndjekur nga strukturat tona të kujdesit parësor, sipas protokolleve të përcaktuara për qytetarët që ndiqen në mënyrë ambulatore dhe për ata që kanë nevojë të hospitalizohen atëherë lidhen direkt me 127 për të garantuar ndjekje të mëtejshme në kushte spitalore”, tha Manastirliu.

Manastirliu theksoi se mjeku i familjes e ka në kohe reale informacionin për çdo qytetar të zonës së tij të mbulimit, që është i prekur nga COVID-19.

“Çfarë është e rëndësishme është që sot realizojmë në mënyrë elektronike kartelizimin elektronik të pacientëve, të cilët janë të dyshuar, kanë shenja, kanë simptoma të Covid19, apo janë raste të konfirmuara me Covid19 dhe terapitë e tyre të mjekimit”, u shpreh ministrja.

Ndërkohë në qendrën shëndetësore nr. 10, aktualisht po marrin trajtimin e mjekut të familjes 30 pacientë.

Këtë të enjte, u shënua një tjetër shifër e lartë përsa i përket të infektuarve me koronavirus.

Nga 531 testime të kryera në 24 orët e fundit, 127 pacientë rezultuan pozitivë me koronavirus. Ndërsa 6 persona të tjerë kanë humbur betejën me covidin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat