Pas BE, hap thesin për Covidin edhe OKB, i jep 100 milionë dollarë Shqipërisë

Shqipëria

Pas BE, hap thesin për Covidin edhe OKB, i jep 100 milionë dollarë Shqipërisë

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 00:36
Foto ilustrim

Pak javë pasi Bashkimi Europian njoftoi dhënien e rreth 200 milionë eurove për emergjencën e COVID-19 në Shqipëri, vijnë edhe 100 milionë USD nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

OKB ka publikuar planin e përgjigjes socio-ekonomike dhe të rimëkëmbjes ndaj koronavirusit në Shqipëri. Plani i detajuar i ekipit të OKB në Shqipëri është me një buxhet prej gati 100 milionë dollarë për 12-18 muajt e ardhshëm dhe përcakton ofertën për përgjigjen socio-ekonomike dhe rimëkëmbjen në 5 shtylla kryesore, nga mbrojtja e sistemit shëndetësor deri te rezistenca e komunitetit.

Pas shpalljes prej Sekretarit të Përgjithshëm të OKB në 4 maj të kornizës globale të OKB për reagimin e menjëhershëm social-ekonomik ndaj COVID-19, Ekipi i zyrës së OKB në Shqipëri nën udhëheqjen teknike të UNDP Albania me mbështetjen e OBSH dhe UNICEF Albania përgatiti një program të detajuar të përgjigjes socio-ekonomike për 12-18 muajt e ardhshëm.

Ky buxhet 100 milionë USD, ka për qëllim të sigurojë një përpjekje të bashkërenduar dhe gjithëpërfshirëse për të adresuar ndikimet shumëdimensionale të COVID-19, dhe për të mbrojtur nevojat dhe të drejtat e njerëzve që jetojnë nën presionin e pandemisë, me një përqëndrim në grupet më të rrezikuara.

Plani identifikon 113 veprime prioritare që synojnë promovimin e zhvillimit socio-ekonomik në Shqipëri duke minimizuar dhe zbutur ndikimin negativ të COVID-19, duke u bazuar në pesë shtylla, përkatësisht:

1.Mbrojtja e sistemit dhe shërbimeve shëndetësore – udhëhequr nga OBSH 2.Mbrojtja sociale dhe shërbimet themelore – udhëhequr nga UNICEF 3.Mbrojtja e vendeve të punës dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe aktorët më të prekshëm prodhues – e udhëhequr nga UNDP 4.Përgjigja makroekonomike dhe bashkëpunimi shumëpalësh – udhëhequr nga Zyra e Koordinatorit të Përhershëm të OKB 5.Kohezioni social dhe rezistenca e komunitetit – udhëhequr nga UNDP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat