Meta kujton eksodin e ’91: Koha që shqiptarët të marrin në zotërim vendin dhe fatet e tyre

Shqipëria

Meta kujton eksodin e ’91: Koha që shqiptarët të marrin në zotërim vendin dhe fatet e tyre

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 21:01
Ilir Meta

Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka kujtuar eksodin e shqiptarëve më 8 gusht të vitit 1991, drejt Italisë, duke e quajtur atë, një dëshmi para gjithë botës për “tragjedinë dhe dhimbjen e një populli të vuajtur për dekada nga dhuna, shtypja, mjerimi dhe izolimi”.

Mes të tjerash, Kreu i Shtetit thekson se “Fatkeqësisht edhe sot pas 29 vitesh nga kjo ngjarje dhe këto pamje tronditëse që të emocionojnë në çdo kohë, ritmet dramatike të shpopullimit të Shqipërisë nuk janë ndalur”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ilir Meta shkruan se është koha për t’i thënë kurrë më çdo projekti izolues dhe shpopullues, pasi shqiptarët tashmë duhet të kthehen në vendin e tyre.

8 gushti i 1991vnjihet ndryshe si eksodi i shqiptarëve, të cilët ‘të ngarkuar’ mbi një anije mallrash lundruan drejt Italisë. Anija ‘Vlora’ mbërriti në portin e Barit, ndërsa sipër mbante mbi 20 mijë shqiptarë.

Postimi i plotë:

Në 8 gusht 1991 anija “Vlora”, me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, nisi udhëtimin drejt lirisë duke u kthyer në simbolin e shpresës për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë. Zbarkimi i tyre në brigjet e Italisë, dëshmoi para gjithë botës tragjedinë dhe dhimbjen e një populli të vuajtur për dekada nga dhuna, shtypja, mjerimi dhe izolimi.

Fatkeqësisht edhe sot pas 29 vitesh nga kjo ngjarje dhe këto pamje tronditëse që të emocionojnë në çdo kohë, ritmet dramatike të shpopullimit të Shqipërisë nuk janë ndalur. Në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore, është koha të ankorojmë shpresën në vendin tonë dhe të përmbushim ëndrrën e çdo qytetari, për një Shqipëri si gjithë Europa!

Koha që shqiptarët të rikthehen dhe të marrin në zotërim vendin dhe fatet e tyre!Koha për ta ndërtuar Europën ketu!

Koha për t’i thënë KURRË MË çdo projekti izolues dhe shpopullues!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat