Presidenti Meta kujton Havzi Nelën: Litari i xhelatëve nuk do ta vrasë kurrë demokracinë - Bota Sot
Presidenti Meta kujton Havzi Nelën: Litari i xhelatëve nuk do ta vrasë kurrë demokracinë

Shqipëria

Presidenti Meta kujton Havzi Nelën: Litari i xhelatëve nuk do ta vrasë kurrë demokracinë

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 10:07
Havzi Nela

Poetin Havzi Nela, në 32 vjetorin e varjes së tij, e ka kujtuar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Në një status në Facebook, kreu i Shtetit, shkruan "se litari i xhelatëve që i shteri frymën e fundit poetit disident dhe martirit të fjalës së lirë Havzi Nela, nuk do mundë kurrë të vrasë demokracinë".

Ai ka postuar edhe një poezi të Nelës.

Statusi i plotë

Litari i xhelatëve që i shteri frymën e fundit poetit disident dhe martirit të fjalës së lirë Havzi Nela, nuk do mundë kurrë të vrasë demokracinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, si dhe ëndrrën e çdo shqiptari për një Shqipëri si gjithë Europa.

"Liria më thërret, vdekja nuk më tund", vargjet e poezisë së Havzni Nelës edhe sot gjëmojnë me një forcë të jashtëzakonshme:

O LIRI, O VDEKJE
Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
S’e duron robninë zemra e nji trimi?!
Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Kët s’ia fali vetes, kjo m’ban me u mendue.
Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtyp bukë, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.
Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.
S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.
Arrën, Nandor 1987

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat