Gjermania ndihmon Shqipërinë me 10.5 milionë euro - Bota Sot
Gjermania ndihmon Shqipërinë me 10.5 milionë euro

Shqipëria

Gjermania ndihmon Shqipërinë me 10.5 milionë euro

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 15:37
Shqipëri

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka zhvilluar këtë të hënë një takim me ambasadorin gjerman Peter Zingraf, me të cilin diskutoi intensifikimin e bashkëpunimit përgjatë vitit 2020.

E para e Ministrisë së Financave dhe e Ekonomisë vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, e cila sipas saj, ka qenë në krah të sektorëve prioritarë të ekonomisë tonë.

Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Financave, ministrja Denaj e ka informuar ambasadorin Peter Zingraf, për vendimet e fundit të qeverisë mbi programet e punësimit dhe nxitjen e riintegrimit në tregun e punës të qytetarëve të larguar, si pasojë e COVID-19 dhe mbi iniciativat fiskale në mbështetje të sektorit privat, me fokus biznesin e vogël.

Ministrja është shprehur se qeveria shqiptare por tregon vëmendjen për mbarëvajtjen e financave publike, pavarësisht se vendi ynë u ndikua nga dy situata të vështira, fillimisht tërmeti i 2019-s, ndërsa tani pandemia e Covid-19, e cila ka rritur numrin e të papunëve dhe ka ulur të ardhurat në buxhetin e shtetit.

“Rritja e angazhimit dhe mbështetja në situatën e tërmetit dhe pandemisë janë dëshmi e bashkëpunimit të fortë bilateral. Prioritetet e përbashkëta dhe orientimi i punës së Qeverisë dhe partnerëve gjermanë në sektorët më me peshë në ekonomi dhe në jetën e qytetarëve kanë qenë kyç në bashkëpunimin e vazhduar.” theksoi Denaj.

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, bëri me dije alokimin e një fondi shtesë prej 10.5 milionë euro për bashkëpunimin ekonomik dhe teknik mes dy vendeve, për periudhën 2020-2021, në mbështetje ndaj ndikimit të pandemisë COVID-19, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME-të) si dhe fuqizimin e arsimit profesional.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat