Vathi: Pandemia shkaktoi frikë në lëvizjen e njerëzve, 10 herë më pak fluturime se 1 vit më parë

Shqipëria

Vathi: Pandemia shkaktoi frikë në lëvizjen e njerëzve, 10 herë më pak fluturime se 1 vit më parë

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 21:35
Besnik Vathi

Turizmi është sektori më i goditur në vend për shkak të krizës që shkaktoi pandemia Covid-19.

Në një lidhje përmes Skype për ”RTV Ora”, përfaqësuesi i operatorëve turistikë Besnik Vathi, tha se pandemia shkaktoi edhe frikën e lëvizjes së njerëzve.

Ai u shpreh se me disa vende nuk kemi pengesa kufitare, por fluturimet kanë rënë 10 herë.

Besnik Vathi: ”Ky aktivitet nuk vuan thjesht nga mbyllja e kufijve. Mbyllja e kufijve është pasojë e pandemisë, por pandemia ka sjellë dhe një frikë në lëvizjen e qytetarëve të huaj drejt Shqipërisë, por dhe të shqiptarëve drejt vendeve të huaja. Me Turqinë nuk kemi asnjë pengesë kufitare. Nëse vjet kanë qenë 30 fluturime charter nga Tirana për në Antalia në javë, këtë vit janë 4 fluturime dhe mezi mbushen. Është një rënie 10 herë më e ulët dhe pa pasur pengesa kufitare. E njëjta situatë edhe me pritjen e turistëve të huaj. Nuk kemi pengesa me Poloninë, por fluturimet janë 5-7 herë më të ulëta se një vit më parë. Nga ana tjetër, ka të bëjë dhe standardi ekonomik i shqiptarëve, janë më pak të priru për të lëvizur jashtë vendit.”

Sipas tij, pandemia goditi më rëndë ekonominë dhe turizmin se tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Besnik Vathi: ”Optimizëm është fjalë e huaj në këtë në moment. Nuk krahasohet me tërmetin. Goditja e Covid-19 është shumë e rëndë, ekonomikisht e dëmtoi turizmin, ndoshta disa herë më shumë se sa tërmeti. Fakteqësia nuk është vetëm e Shqipërisë, por është globale. Goditja është në këtë industri e cila mbështetej në qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe në sjelljen e të ardhurave dhe hyrjen e valutës në vend. Është një goditje e cila filloi që në janar me njofitmin e para për shpërthimin e virusit në Kinë, dhe akoma nuk ka një dritë jeshile se ku kemi mbërritur, për të ditur se sa do të shkojë.”

Për Vathin, Shqipëria ka reagur më dobët në raport me vendet e tjera, në dhënien e ndihmës për këtë sektor.

Besnik Vathi: ”Duke e parë në planin global, ne kemi reaguar më dobët në raport me vendet e tjera. Shtete të tjera patë një reagim ndaj kësaj industrie, duke dhënë ndihma, jo thjesht ndihma për punonjësit e këtij sektori, por ndihma të vazhdueshme për bizneset e këtij sektori. Duke garanatuar rifinancimet, duke dhënë grante, duke ndërmarrë programe e iniciativa për bashkëpunime dypalëshe me vende të ndryshme për të rifilluar aktivitetin, aq sa lejohet. Në fillimin e karantinës, u fol se turizmi do merrte ndihma të veçanta, pati më shumë fjalë se ndihma konkrete, dhe është lënë në harresë.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat