Zbardhet urdhri i Ministrisë së Arsimit, nga “detyrat” e nxënësve në shkollë, deri tek masat e sigurisë

Shqipëria

Zbardhet urdhri i Ministrisë së Arsimit, nga “detyrat” e nxënësve në shkollë, deri tek masat e sigurisë

Më: 29 gusht 2020 Në ora: 08:44
Foto ilustrim

Me përfundimin e periudhës së verës, si çdo vit nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme do të përgatiten për vitin e ri shkollor. Por ky vit do të nisë ndryshe, për shkak të situatës së rëndë që është krijuar nga pandemia globale COVID-19. Në këto kushte, për mbrojtjen dhe sigurinë e nxënësve dhe personelit, Ministria e Arsimit ka marrë një sërë masash.

Udhëzuesi i Ministrisë së Arsimit, përmban edhe masat e sigurisë dhe higjienës, të cilat bazohen në protokollin e sigurisë të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve në datën 21 gusht. Ai parashikon një sërë detyrimesh për nxënësit, mësuesit, personelin ndihmës në shkolla, prindërit e drejtuesit e shkollave. “Detyrat” për nxënësin fillojnë që para hyrjes në ambiente e shkollës, ku përveç matjes së temperaturës, mbajtjes së distancës prej 1.5 m, duhet të jenë të pajisur me maskë me një përdorim ose mbrojtëse të fytyrës prej tekstili si dhe shami letre për higjienën e hundëve.

Megjithatë, mbajtja e maskës gjatë mësimit për nxënësit e ciklit të ulët 9-vjeçar është vetëm e rekomandueshme, ndërsa për ciklin e lartë 9-vjeçar dhe të mesëm maska është detyrim.

Nxënësit nuk do të lejohen të dalin nga ambientet e shkollës dhe të rikthehen përsëri, ndërkohë që dritaret e klasave ku zhvillohet procesi mësimor do të qëndrojnë të hapura për të mundësuar ajrosjen. Gjatë qëndrimit në klasa protokolli kërkon që nxënësit të qëndrojnë të ulur nga një në bankë, ndërsa këto të fundit të kenë një distancë 1.5 m larg njëra-tjetrës.

Ndërkaq, sa i takon higjienës kërkohet larja e duarve pas çdo veprimi që mund të përbëjë rrezik për përhapjen e virusit, sikurse është prekja e hundës, syve, gojës, etj. Ndërkohë që, në strukturat arsimore duhet të sigurohet uji i rrjedhshëm, sapuni i lëngshëm, letra për fshirjen e duarve dhe xheli me përmbajtje alkooli 60% në të gjithë ambjentet e shkollës. Gjithashtu, përcaktohet se tualetet duhet të pastrohen dhe dezinfektohen çdo 30 minuta, ndërsa klasat pas përfundimit të procesit mësimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat