Qytetarët e revoltuar në Kapshticë: Tamponët i bëmë njëherë, nuk kemi para tepër t’i bëjmë sërish

Shqipëria

Qytetarët e revoltuar në Kapshticë: Tamponët i bëmë njëherë, nuk kemi para tepër t’i bëjmë sërish

Më: 29 gusht 2020 Në ora: 14:20
Qytetarët në Kapshticë

Të bllokuar mbeten familjarë me të moshuar, fëmijë, të sëmurë, në pritje për të kaluar sot kufirin e Kapshticës, me Greqinë.

Gjatë ditës së sotme pika Kufitare në Kapshticë vijon të ketë radhë të gjata të udhëtarëve, duke rikthyer kështu në vëmendje kaosin e pak ditëve më parë.

Mësohet se është pezulluar puna nga autoritetet greke dhe nuk lejohet asnjë qytetar të kalojë kufirin për shkak të plotësimit të kuotës, ndërsa skadimi i afatit të tamponit mbetet një tjetër problem.

Shqetësimi kryesor i qytetarëve mbetet afati i skadimit të tamponit, pasi ata tregojnë se nuk kanë mundësi ta bëjnë sërish dhe kërkojnë që të mos pengohen për të kaluar.

“Vij nga Korça, kisha radhën për të ikur sot. Tamponët i kemi bërë. Nuk e di tani si do veprohet. Nuk kam më para për të bërë sërish tampon”, – u shpreh për “ABC news” një qytetare.

Po ashtu qytetarët e bllokuar tregojnë se pavarësisht se e kanë realizuar tamponin, kuota për të kaluar 300 persona është plotësuar dhe kjo ka sjellë edhe bllokimin e tyre ,të cilët vijojnë të presin në temperatura të larta në pikën Kufitare në Kapshticë.

“Nuk kam mundësi të bëj sërish tampon, jemi 5 anëtarë në familje”, tregon një tjetër qytetar, ndërsa bën thirrje që qeveria të ndërhyjë pasi i kanë realizuar të gjitha procedurat e kërkuara. Ata shtojnë se do të qëndrojnë në kufi deri sa të kalojnë edhe nëse do të duhet të qëndrojnë me ditë.

Disa prej qytetarëve janë shprehur se nuk kanë qenë në dijeni se për të kaluar duhet të plotësohej një kuotë prej 300 personash sot në Kapshticë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat