Rihapen shkollat në Francë

Shqipëria

Rihapen shkollat në Francë

Më: 1 shtator 2020 Në ora: 20:17
Francë

12 milionë nxënës u rikthyen në shkolla në mbarë Francën të martën duke respektuar protokolle të rrepta shëndetësore ndërsa autoritetet po punojnë për të kufizuar një rritje të numrit të rasteve me Covid-19.

Megjithë një rritje kohët e fundit të infeksioneve nga virusi, miliona fëmijë francezë u kthyen në shkollë të martën sipas rregullave të reja, në një eksperiment mbarëkombëtar që synon tejkalimin e pabarazisë dhe ringjalljen e ekonomisë.

"Synimi i këtij viti është të lejomë shkollimin në kushte gati normale për nxënësit, t'i ndihmojmë ata sa më mirë që të mundemi dhe më e rëndësishmja të respektojmë kushtet sanitare në mënyrë që të shmangim sa më shumë që të jetë e mundur çdo problem me Covid-in", thotë Regis Kubli, drejtor i shkollës fillore Les Sapins.

Maskat janë gjithashtu të detyrueshme duke filluar nga dita e sotme në të gjitha vendet e punës në Francë. Qeveria u ka bërë thirrje prindërve të kthehen në vendet e tyre të punës ndërsa përpiqen të mbajnë nën kontroll infeksionet.

"Pak frikë në fillim sepse me gjithçka që dëgjojmë, askush në të vërtetë nuk e di se çfarë po ndodh. E di që jemi të kujdesshëm, midis punës dhe gjithçkaje. Tani edhe fëmijët duhet të jetojnë, kështu që mendoj se do të duhet të jetojmë me të. Ne do të duhet të jetojmë me të", thotë Jerome Continent, babai i Baptistit në klasën e parë.

Maskat kërkohen gjatë gjithë ditës së shkollës - përfshirë orën e pushimit dhe muzikës - për të gjithë nxënësit 11 vjeç e lart dhe për të gjithë mësuesit dhe personelin e shkollës.

Mësuesit dhe prindërit kanë shprehur shqetësime në lidhje me rregulloret e reja dhe çfarë nënkuptojnë ato për vitin e ardhshëm shkollor, por në përgjithësi i kanë mbështetur rregullat parandaluese.

“Padyshim që do të jetë e vështirë. Të flasësh me nxënësit pa qenë në gjendje t'u tregosh një buzëqeshje - është me të vërtetë e vështirë për fëmijët. Pastaj fizikisht për ne, mësuesit, ështëvërtetë e vështirë që të mbajmë maska gjatë gjithë kohës. Por duhet t'i respektojmë rregullat", thotë Lise Genrault, mësuese në shkollën fillore Les Sapins.

Franca njoftoi për 3082 raste të reja me koronavirus të hënën, më pak se ditët e fundit, por një shifër më e lartë se vendet fqinje evropiane.

Franca ka patur më shumë se 30,600 vdekje të shkaktuara nga virusi./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat