Covidi shkakton efekt zinxhir infektimi te disa mjekë në spitalin e Elbasanit

Shqipëria

Covidi shkakton efekt zinxhir infektimi te disa mjekë në spitalin e Elbasanit

Më: 6 shtator 2020 Në ora: 16:07
Elbasan

Në pak ditë, tre mjekë të infektuar me koronavirus, kanë rezultuar në spitalin e Elbasanit. Por numri i tyre mund të jetë më i madh, pasi vetëm këtyre tre mjekëve iu është bërë tampon, sepse kishin simptoma koronavirusi.

Burimet në qendrën spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan bëjnë të ditur se sot, një mjeke kardiologe rezultoi se është infektuar me Covid-19.

Spitali ka ndërmarrë masën e izolimit me karantinë shtëpiake dhe kujdes mjekësor nga shtëpia, për mjeken që doli e infektuar.

Nën karantinë janë vënë edhe kolegë të mjekes në fjalë.

Kurse vetëm pak ditë më parë, ishin edhe dy mjekë kirurgë të cilët rezultuan të infektuar me Covid19.

Edhe në rastin e këtyre dy mjekëve, kolegët staf i ngushtë pune u vendosën nën karantinë.

Ministria e Shëndetësisë, ka urdhëruar që nga qershori Institutin e Shëndetit Publik që të mos bëjë tamponë tek njerëz që nuk kanë simptoma të sëmundjes.

Tampon u bëhet vetëm njerëzve që shfaqin shenja të koronavirusit dhe në raste të rralla ndonjë personi me sëmundje të tjera, por pa simptoma Covid19.

Ekspertët shprehin shqetësim se kjo ndikon shumë në përhapjen e koronavirusit, pasi personat kontakt i ngushtë i të infektuarve, lëvizin lirisht duke rrezikuar infektimin e personave të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat