Panariti: SHBA e bëri lëvizjen, presim bonusin europian për Kosovën

Shqipëria

Panariti: SHBA e bëri lëvizjen, presim bonusin europian për Kosovën

Më: 7 shtator 2020 Në ora: 08:32
Edmond Panariti

Ish-ministri i jashtëm Edmond Panariti e sheh marrëveshjen e arritur në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një katalizator për zhvillime të mëtejshme që si finale do të kenë padyshim njohjen reciproke të dy vendeve dhe hapjen përfundimisht të rrugës për Kosovën për të qenë pjesë e organizmave ndërkomëbatare, të tilla si OKB.

Në një intervistë për Rtv Ora, ai thotë se për çështjet politike do të kërkohet dhe angazhimi në BE.

Panariti: Ajo që u arrit në Uashington ishte diçka shumë e rëndësishme. Ata që kishin pritshmëri se aty do të kishin menjëherë finalizimin e atij ngërçi politik mes Kosovës dhe Serbisë e kishin gabim se SHBA e bëri të qartë se takimi ishte për të konsoliduar bashkëpunimin ekonomik. Pati dhe zhvillime të tjera të rëndësishme si njohja e Kosovës nga Izraeli që do të katalizojë edhe njohje të mëtejshme të Kosovës nga vende të tjera.

Delegacionet e dy vendeve do të takohen sot në Bruksel dhe Panariti thotë se ai takim duhet të prodhojë edhe bonusin europian për lëvizjen amerikane.

Panariti: Do të kemi zhvillime të rëndësishme sa i takon rivendosjes së dialogut që në finale do të ketë njohjen e Kosovës nga Serbia, që do të jetë ogur i mirë për stabilitetin e gjithë rajonit. Brukseli duhet të ketë qëndrim unik se nuk ka çështje europiane ku BE është më i përçarë sesa Kosova, pasi 5 vende nuk e kanë njohur akoma. Shpresoj që të kemi sa më parë heqjen e regjimit të vizave që do të ishte bonusi europian për lëvizjen amerikane. Shpresoj që BE të ushtrojë presion pozitiv për të njohur sa më parë shtetin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat