Punimet e rrugës Tiranë-Elbasan, PS ia faturon humbjen €44 milionë në arbitrazh abuzimeve nga PD dhe LSI

Shqipëria

Punimet e rrugës Tiranë-Elbasan, PS ia faturon humbjen €44 milionë në arbitrazh abuzimeve nga PD dhe LSI

Më: 7 shtator 2020 Në ora: 14:06
Punimet e rrugës Tiranë-Elbasan

Qeveria socialiste ia faturoi Partisë Demokratike (PD) dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dëmin prej 44 milionë euro ardhur si rrjedhojë e humbjes së shtetit shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit në lidhje me pagesa të pashlyera një kompanie greke në punimet e rrugës Tiranë-Elbasan.

Humbja e gjyqit u bë me dije në fundjavë nga PD-ja, e cila akuzoi qeverinë për afera korruptive dhe favorizim të një kompanie pranë saj në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

Mirëpo në një reagim të hënën, ministria e Infrastrukturës ia faturoi dëmin PD-së dhe LSI-së.

Ministria tha se çështja në fjalë ka zanafillë vitin 2012 kur qeveria drejtohej nga PD-ja dhe ndërtimi nisi pa studime të përthelluara gjeologjike.

Më tej vazhdoi në vitin 2015 kur kjo ministri dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) drejtoheshin nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) – asokohe në koalicion qeverisës me Partinë Socialiste.

Çështja e humbur në arbitrazh bazohet në dy kontrata të ndërtimit të segmenteve hyrëse dhe dalëse të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan, kontrata që i ishin dhënë kompanisë greke Copri Aktor në shkurt 2012, kohë kur qeveria drejtohej nga koalicioni mes PD-së dhe LSI-së, sot në opozitë.

Sipas ministrisë së Infrastrukturës, tre vite më pas, në vitin 2015, kur kishin ndodhur dhe ndryshimet e qeverisë, “kompania shfaqi pretendime për dëme dhe kosto shtesë të shkaktuara gjatë punimeve”. Kosto të cilat lidheshin kryesisht me rrëshqitjet e dherave që ndodhën në atë periudhë në kantieret e ndërtimit.

Për të mundësuar zhvillimin e punimeve, ARRSH, asokohe e drejtuar nga Dashamir Gjika ngriti një bord të posaçëm shqyrtimi dhe gjykimi të çështjes dhe në korrik të vitit 2017 vendosi të amendojë kontratat e punimeve. Mirëpo sipas socialistëve në këtë mënyrë ata anashkaluan Avokatin e Popullit “si institucion i krijuar me ligj për mbrojtjen e interesave të shtetit”.

Me daljen e LSI-së nga koalicioni që kishte me PS-në dhe ndryshimet në qeveri, ku ministria e Infrastrukturës u mor në drejtim nga socialistët, “auditet e realizuara në dhjetor 2017 shpallën si jo të ligjshme dhe në tejkalim të kompetencave amendimet e kontratave”.

Në këtë mënyrë ministria justifikoi mospagesat e punimeve shtesë nga Copri Aktor, e cila ia kishte nënkontraktuar disa prej punimeve kompanisë shqiptare Inerte Express.

Në shkurt 2018 autoritetet arrestuan ish-drejtorin e ARRSH-së, Dashamir Gjikën dhe dy zyrtarë të tjerë për shpërdorim detyre.

Në deklaratën e saj ministria thotë se çështja po shfrytëzohet politikisht për të hedhur baltë mbi qeverinë, që sipas saj “ka administruar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë kontratë, duke pasur parasysh historikun e abuzimeve dhe nuk ka hezituar dhe as rreshtur së denoncuari këtë aferë”.

“Balta politike, që hidhet çdo ditë nuk mund të mbulojë, as neglizhencën e theksuar dhe as korrupsionin galopant të baltë-hedhësve,” – thuhet në deklaratën për shtyp.

Të dielën ish-deputeti demokrat Gent Strazimiri denoncoi faktin se qeveria kishte humbur në Gjykatën e Arbitrazhit çështjen me kompaninë greke, së cilës tashmë i detyrohej 44 milionë euro dëmshpërblim.

Strazimiri akuzoi qeverinë se i kishte prishur kontratat me këtë kompani, jo për çështje abuzimi apo tejkalimi kompetencash prej autoriteteve, por për të favorizuar kompaninë shqiptare Inerte Express, e cila konsiderohet e përkrahur nga funksionarë të lartë socialistë.

€Vetë kompania Inerte Express përgënjeshtroi pretendimet, duke theksuar se ajo ka qenë nënkontraktore në punimet e rrugës Tiranë-Elbasan dhe nuk ka pasur në asnjë moment kontakte me ARRSH-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat