44 mln $ gjobë nga Arbitrazhi, Balluku: Fajin e ka Saliu

Shqipëria

44 mln $ gjobë nga Arbitrazhi, Balluku: Fajin e ka Saliu

Më: 7 shtator 2020 Në ora: 15:57
Belinda Balluku

Sipas vendimit të Gjykatës së Arbitrzhit, qeveria shqiptare është e detyruar që të paguajë 44 milionë dollarë kundrejt kompanisë greke “Aktor”. Mirëpo kjo gjë duket se ka sjellë një përplasje mes PS dhe ministres Belinda Balluku me opozitën. Në një reagim të vonuar, Balluku ka akuzuar politikën se hodhi baltë dje me reagimin e Gent Strazimirit nga PD, ndërkohë ka shtuar se problemet me menaxhimin e kontratës “Aktor” për rrugën Tiranë-Elbasan kanë nisur që në vitin 2012, kohë në të cilën në pushtet ishte PD.

Ajo ka sulmuar gjithashtu LSI-në, e cila ishte aleate me PD-në atë kohë. MIE, ka akuzuar ish-ministrat dhe drejtorët e LSI-së se kanë zvarritur projektin dhe punimet për këtë autostradë. Me këtë reagim, MIE mbylli përgjegjësinë për qeverinë dhe veten, duke e kaluar dëmin që iu bëhet taksave të shqiptarëve me 44 milionë dollarë, në një çështje “drejtorësh të paaftë e të korruptuar”.

Ndërkohë LSI, ka lëshuar një deklaratë për mediat dhe ka publikuar edhe letrën që ish-ministri Edmond Haxhinasto i kishte dërguar kryeministrit Edi Rama më 2016, ku e vinte në dijeni për mos-pagesat e firmës “Aktor” dhe zavrritjen e punimeve.

Të shtunën u publikua vendimi i gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC), e cila i dha të drejtë kompanisë greke "AKTOR", duke detyruar kështu shtetin shqiptar të paguajë 44 milionë dollarë për mospagesën e punimeve shtesë në austradën Tiranë-Elbasan. Kompania greke ka ngritur një padi ndaj shteti shqiptar dhe paratë praktikisht do të shlyhen nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat