Kalvari i ngjarjeve në familjen Buci/ Vjehrra ‘hoqi qafe” nusen e djalit, atë e bir ekzekutuan për nder vajzën e shtëpisë

Shqipëria

Kalvari i ngjarjeve në familjen Buci/ Vjehrra ‘hoqi qafe” nusen e djalit, atë e bir ekzekutuan për nder vajzën e shtëpisë

Më: 8 shtator 2020 Në ora: 21:13
Shkëlzen, Faik dhe Eglantina Buci

Askush nuk e priste, por pas tetë vitesh në terr, ngjarja tragjike e ndodhur në “Malin me Gropa” është zbardhur në mënyrën më të rëndë të mundshme. Eglantina Buci, vajza 23-vjeçare, eshtrat e të cilës u gjetën nga një gjuetar në mal, mësohet se është ekzekutuar nga babai dhe vëllai i saj, Faik dhe Shkëlzen Buci. E reja është vrarë tragjikisht pasi ishte arratisur me burrin që donte, ndërsa familjarët e saj e cilësonin këtë gjest si “çnderim për familjen e tyre”.

E gjithë ngjarja është zbardhur nga një i penduar, i cili ka rrëfyer në polici momentin, kur i vëllai Shkëlzeni, ka marrë me forcë motrën, e ka futur në makinë dhe e ka çuar në “Malin me Gropa”. Ai ka treguar se gjatë rrugës, vëlla e motër debatonin me zë të lartë, çka dukej që konflikti ishte tëper i madh. Më pas ekzekutimi është bërë me urdhër të të atit, ndërsa Shkëlzeni ka shkrepur armën në kokë të së motrës. Pasi janë larguar, mësohet se Faiku i ka thënë të penduarit të ngjarjes se “sot nuk ke parë asgjë”.

Vëllai i 23-vjeçares, ka mësuar për zbardhjen e ngjarjes brenda qelisë së burgut, pasi ai është duke vuajtur dënimin për tentativën e vrasjes së aktorit Mishel Prela, ndërsa, Faik Buci, ka bërë lëmsh policinë me deklaratat kontradiktore. Më herët ai pranoi krimin e rëndë, ndërsa vetëm një ditë më vonë tha se vajza e tij është gjallë, por prostitutë jashtë Shqipërisë.

Faiku deklaroi:

Eshtrat në Malin me Gropa nuk i përkasin vajzës time. Eglantina është gjallë dhe është prostitutë. Unë e kam mohuar si fëmijë. Edhe sot po të më dalë para e vrasë.

Dy ditë pas ngjarjes, Gjykata vendosi “arrest me burg” për at e bir, të cilët patën një sjellje të pazakontë në ambientet e sallës së gjyqit. Faik Buçi u pa duke qeshur, madje u kap dhe me mediat duke i thënë atyre se “çfarë doni ju këtu”. Sipas disa dëshmive, mësohet se vrasjet në familjen Buci nuk janë edhe aq tabu. Bëhet me dije se nëna e Faikut vite më parë ka vrarë nusen e djalit tjetër, Bashkimit i cili ishte emigrant në Itali.

Ndërkohë në shtëpinë e Faikut banon gruaja e dytë e tij, e cila shprehet se burri i saj është i pafajshëm, madje edhe Shkëlzeni, të cilin e quan "djali i saj", duke i dalë kështu në mbrojtje të dyve. Ajo ka shtuar se vëmendja e madhe që i është kushtuar gjatë ditëve të fundit i ka ndikuar në përkeqësimin e shëndetit mendor.

Deri më tani atë e bir ende nuk e kanë pranuar hapur ngjarjen, por i gjithë hetimi çon në një krim të rëndë në familje, fenomen i cili Shqipëria ka vite që përballet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat