Të këqijat nuk vijnë vetëm për keq! – Leksionet që na ka dhënë deri më tani pandemia e koronavirusit

Shqipëria

Të këqijat nuk vijnë vetëm për keq! – Leksionet që na ka dhënë deri më tani pandemia e koronavirusit

Nga: Dosti Banushi Më: 8 shtator 2020 Në ora: 22:36
Ilustrim

Pandemia e koronavirus ka infektuar mbi 500 mijë veta dhe ka vrarë 23 mijë persona (statistikat përditësuar për herë të fundit më 26 mars, 20:39) në mbarë botën. Papritmas, tymi industrial që mbulonte rruzullin, është zëvendësuar nga një mjegull e parehatshme pasigurie. Askush s’di asgjë: as nga erdhi ky virus, e as nga do shkojë; as sa do zgjasë, e as a mund të mbarojë. Verbëruar nga pasiguria, njerëzimi bëri lëvizjen më të sigurtë: U fsheh!  Të izoluar në shtëpi, të gjithë ndjekin virusin teksa gërryen themelet socio-politike të ndërtuara deri më tani.

I intervistuar nga Chris Anderson, drejtuesi i TED, filantropi Bill Gates, edhe pse me tone optimiste, parashikoi se do të jenë vendet në zhvillim e sipër, sikurse Shqipëria, ato ku pasojat do të peshojnë më shumë se kudo tjetër.

Barra do të jetë me e rëndë në vendet si ky i joni, sepse për shkak të kapaciteteve të vogla që ne zotërojmë, do të na duhet më shumë kohë për të rikuperuar humbjet e shkaktuara nga COVID-19. Ama, deri më tani, si shtetet e vogla, ashtu edhe ato të mëdha janë prekur njësoj nga virusi.

Shtete me ekonomi dhe sisteme shëndetësore superiore, sikurse SHBA apo Italia e veriut, po vuajnë njësoj me shtetet si Irani. Kjo do të thotë se koronavirusi, më shumë sesa me ekonominë apo shëndetësinë, ka të bëjë me menaxhimin. Vende si Korea e Jugut e mbyllën luftën me këtë virus pa marrë masa ekstreme izoluese, por vetëm duke mirë-menaxhuar sistemin e përndjekjes së infektimit dhe thyerjen e zinxhirit përçues. Kjo pra, është një krizë që nuk e zgjidh fuqia, por zgjuarsia.

E nëse pranojmë që mbi të gjitha koronavirus po sfidon aftësitë tona për të menaxhuar dhe menduar, pranojmë atëherë që gjithçka po ndodh është një sprovë politike. Politika, si njësi veprimtarish menaxheriale që synon realizim e objektivave të paracaktuara, është nën sulmin e këtij virusi më shumë se çdo gjë tjetër.

Shumëkush, e sidomos ata nga ne që studiojnë shkenca politike, duke lakuar vijën e hollë që ndan humorin nga e vërteta, mund të thotë se ky virus është një liberal i djathtë. Vret të moshuarit, si ajo shtresë e popullsisë që i rëndon krahut të punës nëpërmjet skemave të pensioneve dhe sigurimit shëndetësor, praktika këto që të djathtët nuk i kanë me shumë qejf. Dhe sikurse ka ndodhur përherë në histori, edhe tani, përball këtij virusi liberal të djathtë po vihet e majta dhe shteti i fuqishëm në ekonomi që ajo preferon. Të gjithë shtetet, me SHBA-në në krye, që prezantoi para pak ditësh stimulin më të madh në historinë e saj prej 2 triliardë dollarësh, janë vrullur për të ndërhyrë e shpëtuar ekonominë. Ky është leksioni i parë që na ka dhënë kjo pandemi: Edhe pse kapitalizmi është alternativa më e mirë që sot kemi, ndërhyrja e shtetit në ekonomi ngelet e domosdoshme, e pas kësaj krize të paktë do të jenë ata që do ta kundërshtojnë.

Këto ditë, edhe kapitalistët më të mëdhenj po i luten shtetit si socialistë të devotshëm! Kjo pasi shteti, edhe pse ka nga ata që nuk duan ta pranojnë, si entitet synon të ruajë gjendjen e mirë të gjërave. Mbrapa këtij konstatimi nuk ngelet dhe Shqipëria, me një paketë ndihme ekonomike të prezantuar që i vjen në ndihmë bizneseve, punonjësve dhe shtresave në nevojë.

E sa i përket prezantimeve, këto kohë të vështira në Shqipëri u paraqit gjithashtu diçka që kishte munguar prej kohësh: qetësia politike. Të ndarë fizikisht, por jo partiakisht, kreu i Shtetit Ilir Meta, kreu i Qeverisë Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, u bashkuan në Këshillin e Sigurisë për t’i vërtetuar edhe më militantit se ndasitë partiake u shërbejnë vetëm aspekteve negative të pushtetit. Për ta bërë pushtetin të vihet në funksion të ndërtimit të një shtet funksional që i shërben mirëqenies së qytetarit, ai duhet të jetë medoemos konsensual. Ky është leksioni i dytë që Shqipëria mori nga COVID-19.

Koronaviurs, mes gjithë kësaj rrëmuje që ka shkaktuar, nuk ka harruar të gjejë kohën për të prodhuar dhe ironi: Ndërkohë që për shumë vite ëndrra më e çmuar e shqiptarëve ka qenë që të ikin nga ky vend, ketë fillim vit, dëshira e gjithsecilit ka qenë që të rikthehet.

Vendi i vetëm evropian në listën e shteteve azilkërkuese në Evropë (raporti i EUROSTAT e nxjerr Shqipërinë në vendin e 11 për 2019-ën, me 17 mijë  aplikantë të rinj) po kërkon tanimë me ngulm të riatdhesojë shtetasit e tij. Në një kohë që Evropa ka mbyllur kufijtë dhe është e fokusuar vetëm tek shtetasit e saj, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme i është dashur të ndryshojë fokusin, nga të çuarit e shqiptarëve në Evropë, në rikthimin e tyre në Shqipëri.

Disa marrëveshje janë arritur për të lejuar shtetasit shqiptar të qëndrojnë në disa vende Evropiane për më shumë se 3 muaj, por shumë shqiptar ende kërkojnë të rikthehen, dhe shumë të tjerë kanë ngecur në kufijtë tokësor të vendeve fqinje.

Janë periudha si këto që i bëjnë individët të përvetësojnë mendimin se, edhe pse diku tjetër mund të jesh më mirë, i sigurt mund të jesh vetëm në vendin tënd, aq më tepër kur ky i fundit është në paqe, e jo në luftë. Ndërkohë, qeverive u shërben kjo kohë për të rikujtuar se burimet njerëzore, qytetarët, janë gjëja më e çmueshme dhe prioriteti kryesor i një shteti. Ky është mësimi i tretë që kemi marrë nga kjo pandemi, para të cilës qytetari, qoftë ai i ikur e qoftë ai i palarguar, kishte shumë pak vëmendje.

INSTAT raporton për 2019 se janë larguar përfundimisht nga Shqipëria 1923.5 shtetas për çdo muaj. Mjekët, heronjtë e heshtur, punojnë me parimin se parandalimi është më i mirë se kurimi. E kjo filozofi duhet të ndiqet dhe nga politika, e cila është në kohën e duhur për të kuptuar më në fund se largimi i shqiptarëve duhet të vijë vetëm si zgjedhje, e jo si zgjidhje. Fundja, nuk do mend se është më mirë të punosh për të parandaluar largimin e qytetarëve, sesa të shpenzosh resurse jetike në kohë krize për të siguruar rikthimin e tyre në atdhe.

Sa i përket zgjidhjeve, ato janë ose produkt i një pune të planifikuar, ose imponim i kohërave të mundimshme. Sot, zhvendosja e sistemit arsimor shqiptar në platforma online, është padyshim një zgjidhje e detyruar që i ka kapur të gjithë të papërgatitur, me Shqipërinë që lë pas për nga zhvillimi teknologjik vetëm Armeninë, Taxhikistanin dhe Kirgistanin, sipas raportit mbi vlerësimin e objektivave të qëndrueshëm nga OKB.

Para 3 javësh nxënësit nxirreshin nga klasa nëse kapeshin duke përdorur celularin, ndërsa sot e gjithë klasa është në celular! Një transformim ky radikal i mentalitetit por dhe praktikës mësimore. Dhe kjo ka krijuar vështirësi të pakalueshme për ata që nuk kanë mundësinë të kenë akses në internet; dhe vështirësi të mëdha për ata që i kanë ‘konditat teknologjike’. Këto vështirësi, jo vetëm që krijojnë një stres ankthioz të dëmshëm, por gjithashtu mund të ngjizin një brez profesionistësh me arsimim të cunguar, të cilët, nëse më parë nuk mund të konkurronin me moshatarët e tyre evropian, në të ardhmen s’do të konkurrojnë dot as me brezat e mëparshëm të Shqipërisë.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se Shqipëria, në vitin shkollor 2018-2019 kishte rreth 139,043 studentë, e në vend që ata dhe sistemi arsimor të jenë pararojë e zhvillimit inovativ, sot janë bërë pre e mungesës së tij. Kuptohet që inovacioni shkon përtej arsimimit; ai është një mjet i domosdoshëm që vendet e zgjuara kanë në dispozicion për të luftuar çdo sfidë. Por leksioni i katërt që na jep ky virus, është që arsimi, sot dhe në çdo kohë, duhet të jetë prioritet. Arsimi i shërben dy kohëve, të tashmes dhe të ardhmes; pra ai duhet të jetë zgjidhja dhe jo problemi.

Për t’u larguar nga politikat e mendjes dhe afruar atyre të zemrës, duhet thënë gjithashtu se ardhja e koronavirusit në Shqipëri na ka bërë të përqafojmë disa gjëra që kishim harruar t’i dashuronim.

Në ditët e para të kësaj sfide, kur u ndalua qarkullimi i makinave, por jo i këmbësorëve, shitësit e biçikletave raportonin se u ishte dyfishuar kërkesa. Trafiku dhe tymnaja në Tiranë, aq sa është çështje urbanistike, aq është dhe çështje mentaliteti. Këto ditë kemi mësuar se disa distanca janë të përshkueshme dhe me këmbë, apo më mirë akoma, dhe me biçikletë.

Kur lokalet u mbyllën, u mbushën parqet, dhe mësuam se muhabeti cilësor mund të bëhet dhe në natyrë! Në përgjithësi, ky ndryshim drastik i jetesës, bashkë me ajrin e pastër në Tiranë, na riktheu mendimin se fundja, disa gjëra i kemi ne vet në dorë, për të krijuar një komunitet më të shëndetshëm dhe më të pastër.

E sa i përket komunitetit, mësuam se njerëzit e suksesshëm dhe heronjtë e shoqërisë nuk qenkan vetëm të kamurit që shëtisin me makina më të shtrenjta se shtëpia nëpër rrugët e bllokut. Heronjtë nuk qenkan ata që i shohim me kokën lartë, nga poshtë, por ata që i hasim çdo ditë nëpër lagje: Doktorët, infermierët, shoferët, mësuesit, shitësit, tregtarët. Koronavirusi, ashtu sikurse tërmeti, na ka mësuar që secili individ ka një rol të rëndësishëm në shoqëri, e nuk duhet parë askush me adhurim, e askush me përçmim. Të gjithë janë thelbësor!

Në fund, sfida që na pruri COVID-19 në Shqipëri na ka mësuar se shumëçka ka të bëjë me politikë-bërjen. Edukimi politik në këtë periudhë ka filtruar në mendjen tonë të vërtetën e vjetër se politika nuk është fjalë, por është veprim. Masat e ndërmarra për ndalimin e përhapjes së virusit, rregullimi i tregjeve për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit, fortësimi i linjave të internetit, vazhdimi i procesit mësimor në platformat online, paketa financiare drejtuar të prekurve nga sfida koronavirus, thirrja e vullnetarëve për të ndihmuar stafin mjekësor, dërgesat e pensioneve nëpër shtëpitë e të moshuarve, bashkë me përkujdesjen ndaj atyre që janë të vetmuar, e të gjitha të tjerat janë politika.

Diferencën midis politikave nuk e bëjnë fjalët por mendimi.

Një mendim i mirë sjell një politikë të mirë, dhe një mendim i keq sjell një politikë të keqe. Kështu, duhet bërë çmos që të blindohen që tani përpjekjet për krijimin e një sistemi më të mirë politikë-bërjeje në Shqipërinë e post-koronaviurs. Kështu tregohet se mësimet që kjo e keqe na dha, janë mësuar. Të këqijat nuk vijnë vetëm për keq!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat