Xhafaj: SPAK-un po e mbysin me çeshtje dytësore, me qëllimin për ta delegjitimuar

Shqipëria

Xhafaj: SPAK-un po e mbysin me çeshtje dytësore, me qëllimin për ta delegjitimuar

Më: 9 shtator 2020 Në ora: 10:22
Fatmir Xhafaj

Deputeti socialist Fatmir Xhafaj, ka bërë një “skaner” të thelluar për të gjitha zhvillimet që pritet të shoqërojnë aktualitetin politik në vend, duke u ndalur specifikisht te disa nga pikat më të nxehta që gjenden në tryezat respektive të partive kryesore në vend.

Duke analizuar sulmet e jashtme dhe të brendshme, arritjet dhe sfidat, dështimet dhe triumfet, retorikat e njohura dhe të panjohura, ligjvënësi hedh dritë mbi “arenën” politike në vend ku veç të tjerash zbardh edhe gjykimin e tij lidhur me qëndrimet e strukturave të Partisë Socialiste.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “TemA”, ndër të tjera Xhafaj sjell edhe të gjitha arsyet që sipas tij do ta çojnë Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama drejt mandatit të tretë qeverisës.

Ndërkohë, ish- kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, ndalet edhe te reforma në drejtësi ku bën një bilanc të shkurtër të saj.

Më tej, Xhafaj jep një përgjigje edhe për të gjitha sulmet që i janë adresuar gjatë harkut të fundit kohor pas mbylljes së sesionit parlamentar.

Z.Xhafaj, duket se edhe pas pushimeve sezoni i ri politik ka nisur me retorika të forta. Ndërkohë, shohim
që përsëri nuk mungojnë as sulmet e vazhdueshme ndaj jush. Çfarë komenti keni lidhur me to?

Në një prej testamenteve që i ka lënë jetës politike në vend, i madhi Dritëro ka thënë se në vendin tonë nuk ka 4, por 5 stinë gjatë vitit, ku njëra prej tyre është e përhershme dhe quhet politikë. Më vjen ndër mend herë pas here ky konstatim i tij kur detyrohem të ndjek retorikat e forta të politikës së ditës.

Në prag të një viti elektoral ku po përgatitemi të hyjmë do të ishin krejt normale, por për fat të keq nuk ndodh kështu.

Shpesh ato rrëshkasin në papërgjegjshmëri edhe kur zanafilla e debateve ka në bosht tematika reale që kanë nevojë imediate për më shumë maturi dhe argument siç është p.sh aktualisht debati për çështjet e kufirit detar me shtetin grek.

Është dëshpëruese për qytetarët dhe e dëmshme për progresin që synojmë të arrijmë kur shohim neveritshëm që gjuha nuk përdoret për dialogun e zgjidhjes, por për të pështyrë helm kërcënimesh apo vrer shpifjesh. S’ka si të mos na trishtojë, ndaj edhe gjithnjë e më tepër vjen duke m’u përforcuar bindja se kjo qasje është një ndër arsyet kryesore pse njerëzit tentojnë t’i qëndrojnë gjithnjë e më larg politikës. Pse jo për disa edhe që t’i largohen përfundimisht
vendit.

Ndërkohë, sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, për mua ngjan si një kronikë e përsëritur që ju dhe kolegët tuaj fatkeqësisht jeni të detyruar ta përsërisni me ndryshimin e vetëm nëse goditja politike ka qenë mbi apo nën tavolinë, para apo pas shpine, mbi apo nën brez.

Duke gjykuar nga kuzhinat ku gatuhen, kuzhinierët që e përgatisin dhe ndihmësit që asistojnë, apo edhe tellallët që e shesin, ju them me bindje se personalisht nuk më shqetësojnë aspak. Përkundrazi, kam vijuar t’i shfrytëzoj si test për të matur pulsin politik të vetvetes nëse kam bërë gjënë e duhur dhe në mënyrën e duhur.

Një pyetje që padyshim do t’ju shoqërojë në çdo intervistë natyrisht është ajo që lidhet me sistemin e ri
të drejtësisë. A keni një vlerësim për gjendjen aktuale?

Duan apo nuk duan, reforma në drejtësi është duke përshkuar rrugën që duhej. Natyrisht jo pa probleme në procesin e zbatimit të saj, por natyrisht ka qenë e pritshme një gjë e tillë edhe për shkak të mjedisit ku ajo po zbatohet dhe interesave të forta që ka prekur. Ndaj, është e kuptueshme që sa më e
fortë do të jetë goditja, aq më e fortë është edhe kundërgoditja e tyre ndaj zbatimit të reformës apo njerëzve të angazhuar, vendas e ndërkombëtarë qofshin.

…por kush po e sulmon në të vërtetë?

Reforma është përballur qysh në fillimet e hershme me kundërshtarët e saj të ashpër të cilët kanë mbetur koherentë e fort të angazhuar në përpjekjet e tyre për ta deligjitimuar dhe deformuar. Në procesin e realizimit të saj reforma po ndeshet edhe me përpjekjet për ta ndikuar e kontrolluar në përbërjen dhe vendimmarrjen e institucioneve të reja të saj.

Tashmë dihet që ka marrë sulme të forta frontale dhe nën rrogoz, por falë mënyrës se si është konceptuar, ky projekt as është rrëzuar dhe as ka për t’u rrëzuar ndonjëherë. Më lejoni të përsëris një mesazh të përcjell prej meje në ditën e drejtësisë: “Ata që e duan (drejtësinë) siç e kishin dje, ta harrojnë! Ajo vdiq. Ata që edhe nesër e duan si dje, s’paskan kuptuar asgjë nga reforma. E mendojnë dhe veprojnë gabim. Është ndërtuar e tillë, që të jetë ndryshe edhe për ta. Drejtësi të barabartë për të gjithë, drejtësi në shërbim të qytetarëve.”

Si i keni parë zhvillimet e fundit rreth implementimit të saj dhe ngritjen e institucioneve të reja?

E konsideroj sukses shumë të rëndësishëm faktin që vettingu megjithë problematikat e shfaqura ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm, duke larguar përfundimisht nga sistemi një pjesë të mykur të tij, ku bëjnë pjesë disa gjyqtarë dhe prokurorë jo thjesht të paaftë, por të korruptuar deri në grykë dhe akoma
më keq të kriminalizuar.

E vërtetë që mund të kemi mungesa në numrin e gjyqtarëve edhe për disa kohë, por e sigurt që do të kemi gjithnjë e më shumë profesionistë me integritet, të aftë dhe të përgjegjshëm për misionin e tyre. Gjendemi në një moment të rëndësishëm ku me vështirësi jo të vogla pjesa kryesore e institucioneve të reja tashmë janë formatuar ose janë në përmbyllje të këtij procesi.

Ajo çka përbën shumë rëndësi është mënyra e zgjedhjes dhe formatimit të tyre, si dhe pavarësia funksionale e tyre. Le të mos harrojmë që vetëm pak vite më parë dëshpërimisht ato ishin institucione që krijoheshin nga vendimmarrje apo kompromise politike duke u vendosur në shërbim të saj. Ritheksoj se reforma ka garantuar pavarësi reale në procesin e emërimit, karrierës, vendimmarrjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha shkallëve. Vazhdoj të besoj edhe më shumë te ndryshimi radikal me të djeshmen ku për ta kuptuar këtë gjë mjaft të shihni luftën politike me KED dhe GJK.

Aktualisht reforma ka hyrë në një moment kyç ku sfida kryesore është e vetë institucioneve të reja të sistemit. Cilësia e performancës dhe vendimmarrjeve të tyre është themelore në këto momente. Ato tashmë përballen me pritshmërinë e publikut ndaj tyre. Ndaj është plotësisht e justifikueshme kërkesa në rritje që po ushtrohet ndaj tyre për më shumë përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe transparencë në punën e tyre dhe kryesorja efiçencë me rezultate konkrete. Maxhoranca dhe veçanërisht Kuvendi ka përgjegjësinë e madhe të koordinimit dhe mbështetjes së institucioneve të reja të sistemit.

Pritshmëria është e lartë për SPAK, por dhe BKH e sapo krijuar. Nën këndvështrimin tuaj, a mund të
presim rezultate së shpejti?

Duhet mirëkuptuar pritshmëria në rritje e qytetarëve dhe partnerëve për të parë rezultate konkrete në punën e SPAK. Është krejtësisht legjitime pasi ajo strukturë përbën një nga risit kyçe të reformës në drejtësi. Qëndrimi ndaj saj ka qenë thelbi i debatit lidhur me reformën dhe është investuar dhe po
investohet shumë në çdo aspekt për këtë strukturë.

Partnerët tanë ndërkombëtare dhe veçanërisht SHBA, janë shumë të angazhuar në këtë aspekt me një mbështetje aktive morale, njerëzore dhe financiare. Gjithsesi duhet edhe pak më shumë mirëkuptim dhe durim. Ka vetëm pak muaj që struktura e tyre është kompletuar organizativisht e teknikisht dhe ende ka nevojë për pak kohë. BKH e cila do të jetë një mbështetje e madhe e Prokurorisë së Posaçme, është në procesin e ngritjes.

Fluksi i madh i çështjeve të mbartura dhe një fluks i madh çështjesh adresuar këto muaj, një pjesë edhe me qëllimin për ta “mbytur” me çështje dytësore apo thjesht për ta delegjtimuar në publik, janë një tjetër problem me jo pak ndikime në vlerësimin tim.

Drejtuesit e SPAK, përgjithësisht janë njerëz me përvojë dhe shpresoj se po bëjnë përpjekjet e duhura për ta fokusuar punën dhe rezultatet jo te treguesit sasiorë në vetvete, por te çështje të forta një pjesë e të cilave tashmë siç është bërë publike janë në proces hetimi dhe kanë pritshmëri të lartë nga publiku dhe partnerët.

Personalisht, për aq sa unë i njoh, kam vlerësim pozitiv për shumë nga prokuroret dhe prokurorët e SPAK lidhur me integritetin dhe aftësitë e tyre profesionale. Një pjesë e mirë e tyre besoj se kanë edhe përgjegjshmërinë dhe qëndrueshmërinë për t’u përballur me përgjegjësitë e mëdha që ofron përfshirja në këtë strukturë. Me fillimin nga puna edhe të BKH shpresoj shumë se do të shohim rezultate të prekshme dhe goditje të forta kundër grupeve të
strukturuara kriminale dhe veçanërisht ndaj korrupsionit në nivele të larta.

Tashmë kemi drejtuesen e re të BKH dhe ajo është një grua. Keni ju një vlerësim rreth saj duke qenë se
keni bashkëpunuar me të gjatë kohës kur ju keni ushtruar funksionin e Ministrit të Brendshëm?

Vlerësimin ndaj znj.Hajnaj e kam të krijuar qysh më herët duke e njohur personalisht si pjesë e ekipit me të cilin unë bashkëpunova për drejtimin e Policisë së Shtetit. Është e para grua e promovuar në nivelet më të larta të Policisë së Shtetit falë vlerave e kontributeve të saj në vite. Përvoja e gjatë në hetim dhe
kryesisht në fushën e korrupsionit, integriteti i lartë, qëndrueshmëria dhe profesionalizmi i saj, janë gjithashtu garanci të qarta se do të shohim një drejtuese të fortë në krye të atij institucioni.

Përzgjedhja e znj.Hajnaj në atë detyrë është meritë e padiskutueshme e CV-së së saj të pasur dhe të pastër, e pavarësisë në vendimmarrje të drejtuesit të SPAK e komisionit përzgjedhës pranë tij, dhe padyshim mbështetja e fortë që i dha këtij procesi OPDAT dhe personalisht ambasadorja e SHBA znj.Yuri Kim për
ta mbajtur larg çdo lloj presioni apo influence të jashtme.

Besoj se kjo i jep asaj legjitimitetin dhe mbështetjen e duhur për të qenë tërësisht e pavarur në ushtrimin e detyrës. Natyrisht suksesi do të varet edhe nga ekipi i hetuesve dhe oficerëve të policisë gjyqësore të cilët do të përzgjidhen në muajt në vijim. Rol të rëndësishëm do ketë edhe cilësia e bashkëpunimit në kufijtë e ligjit me prokurorët e SPAK dhe me vetë strukturat e Policisë së Shtetit.

Në këtë pikë theksoj se peshë të rëndësishme do të ketë puna e vet partnerëve ndërkombëtar dhe sidomos nga misionet e asistencës të SHBA e BE të cilave me ligj ju është njohur e drejta e monitorimit dhe asistencës për themelimin dhe zhvillimin e BKH-së për një periudhë 2 vjeçare. Kjo është një sfidë e madhe për të gjithë, ndaj duhet të shpresojmë për të parë shumë shpejt një institucion efektiv me rezultate të prekshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat