Bizneset: Si mund të shpëtojmë nga kriza e pandemisë

Shqipëria

Bizneset: Si mund të shpëtojmë nga kriza e pandemisë

Më: 12 shtator 2020 Në ora: 10:14
Foto ilustrim

Përfaqësues të sipërmarrjes fason, turizmit, bareve, restoranteve, eksporteve të produkteve bujqësore, për shkak të rënies të xhiros 50-70% nga pandemia dhe fuqisë blerëse, parashikojnë falimentime masive të bizneseve nga muaji shtator deri në nëntor.

Për t’i shpëtuar krizës, Shoqatat e Biznesit dhe Dhomat e Tregtisë kërkojnë uljen e taksave në nivel kombëtar, subvencionim të qirave për strukturat e shërbimit, programe mbështetëse me grante dhe kredi të buta për diversifikimin e prodhimit të tekstileve, zgjatjen e afatit të Garancisë Sovrane 1 dhe lehtësim të kushteve për të përfituar ndihmë nga Garancia Sovrane 2.

Vjeshta e 2020 pritet të jetë periudha më e vështirë financiare që do të kalojë sipërmarrja shqiptare nga kriza e Covid-19. Shoqatat kryesore të biznesit dhe Dhomat e Tregtisë parashikojnë që në muajt shtator-tetor-nëntor të vijë vala e dytë e falimentimit të bizneseve fason, turizmit, bareve, restoranteve dhe transportit.

Arsyet janë reduktimi i të ardhurave deri në 70% për hotelet, 50 deri në 60% për baret dhe restorantet për muajin gusht dhe mungesa e rimbursimeve për klubet e natës që ende janë të mbyllura. Sektori fason vazhdon të vuajë mungesën e porosive për prodhimin e veshjeve dhe të këpucëve për sezonin e pranverës 2021 dhe të likuiditetit për diversifikimin e prodhimit me kërkesat e pandemisë. Ecuria e aktivitetit, e mbajtur e sforcuar në muajt e verës, vlerësohet tregues i qartë i alarmit të krizës nga përfaqësuesit e shoqatave të biznesit.

Garancia Sovrane 1 dhe 2, masa të aplikuara nga qeveria në mbështetje të sipërmarrjes, konsiderohen të dështuara dhe të pafavorshme, për shkak të interesit të lartë dhe penalizimit nga analiza e riskut. Paketat 1 dhe 2, të ndihmës financiare, vlerësohen më shumë për karakterin e tyre social për të ndihmuar punonjësit e larguar nga puna.

Nisur nga situata aktuale dhe pritshmëritë pesimiste për muajt e ardhshëm, Shoqatat e Biznesit dhe Dhomat e Tregtisë më tepër kanë kërkesa me karakter fiskal për qeverinë, që nga ulja e taksave në nivel kombëtar, rimbursimi i qirave për strukturat e shërbimit të mbyllura në karantinë, subvencionimi i kostove për blerjen e makinerive të masonëve, që kërkojnë të prodhojnë materiale njëpërdorimshme për t’i shpëtuar krizës, instrumente nxitës për rritjen e konsumit dhe fuqisë blerëse, si dhe politika mbrojtëse për fermerin dhe industrialistin shqiptar.

Alban Zusi, President i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, thekson se duhet të ngrihet edhe një qendër shkencore për të analizuar dhe për të zgjidhur problemet e biznesit, pasi shumë prej tyre nuk janë adresuar dhe kjo e ka futur procesin në një rreth vicioz. “Shoqatat dhe biznesi janë lodhur, duke paraqitur propozime që nuk realizohen”, pohon Zusi.

Si vlerësohen Garancia Sovrane 1 dhe 2

Garancia Sovrane 1, me vlerë 11 miliardë lekë, sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Financave, është përfituar nga 551 biznese me vlerë 6,4 miliardë lekë, nga 756 që aplikuan. Në Garancinë Sovrane 2 kanë aplikuar 294 biznese dhe janë miratuar 161.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë të Durrësit, Alban Isteri, thotë se të dyja këto masa kanë dështuar, pasi kushtet me të cilat u zbatuan nuk ishin optimale. “Mekanizmat e zbatimit duhet të ishin direkte, siç ndodhi me ‘pagën e luftës’, pagesa duhet t’i kalonte biznesit direkt në llogarinë bankare.

Përfshirja e procesit në sistemin bankar, kur për Garancinë Sovrane 1 shteti ishte 100% garant dhe biznesi iu nënshtrua analizës së riskut, ishte e padrejtë. Me Garancinë Sovrane 2, shumë sipërmarrjeve, që kishin nevojë për likuidet, u është refuzuar aplikimi, pasi ishin në vështirësi financiare, ndërkohë qëllimi i masës ishte t’u vinte në ndihmë. Prandaj ishte e nevojshme heqja e burokracive dhe fondi i ndihmës së biznesit të jepej, në të njëjtën mënyrë siç ndodhi në Itali, nëpërmjet rregullave të qarta, direkte dhe pa burokraci të tepruara.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Edvin Prençe, kryetari i Pro-Eksport Albania. Ai pohon se të dyja këto masa janë hartuar nga qeveria në mungesë të konsultimit të mirëfilltë me biznesin, ndërsa ishte e nevojshme një tryezë online konsultimesh, si për interesat e aplikuara, edhe për kushtet e vendosura.

“Afati i përfundimit te Garancia Sovrane 1 privoi shumë sipërmarrje të aplikonin, për shkak të burokracive të shumta që u zbatuan nga bankat në kërkesat për dokumentacion. Ne i kërkuam qeverisë riaktivizimin e Garancisë Sovrane 1 dhe lehtësimin e kushteve, pasi nëse një biznes për shkak të pandemisë, ishte në krizë për likuiditet dhe nuk kishte mundësi financiare për të paguar detyrimet sekondare, automatikisht u përjashtua nga mundësia për të përfituar nga garancia.

Me Garancinë Sovrane 2, shumë biznese nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak të kushteve të shtrënguara. Nuk kemi kërkuar që për bizneset të mos kryhet analiza e riskut, por nëse një kompani për vitin 2019 gjeneroi të ardhura dhe fitim dhe në periudhën e pandemisë pati rënie të tyre, kërkesa për kredi duhej të merrej në konsideratë. Nga ana jonë, këto shqetësime i janë adresuar edhe qeverisë në fund të muajit qershor”.

Nga anketa e zhvilluar, në muajin korrik nga Shoqata Pro-Eksport Albania me 70 kompani (sipas shoqatës ky kampion përbën 7% të totalit të sipërmarrjeve fason) rezultoi se një pjesë të kompanive të sektorit të veshjeve dhe këpucëve, iu është refuzuar aplikimi, për shkak të disa kritereve kualifikuese, të cilat penalizojnë kompani që kanë dalë me fitim në vitin 2019, por nuk kanë paguar disa detyrime të rëndësisë joparësore pranë Tatimeve, për shkak të natyrës së prodhimit.

Nga 44 kompanitë e sektorit të përzgjedhura nga bankat për të përfituar kreditë, me Garancinë Sovrane 1 kanë përdorur deri në fund të majit 70% të fondit të miratuar, në krahasim me përqindje shumë më të ulëta përdorimi nga sektorët e tjerë. “Kjo flet për domosdoshmërinë e rikthimit në afat të instrumentit dhe përdorimit të 4.3 miliardë lekëve ende të papërdorura nga Garancia Sovrane 1”, vlerësohet nga rezultatet e anketës.

Nga zbatimi i deritanishëm i instrumentit të dytë të kredisë me Garanci Sovrane 60% të subvencionuar nga shteti, nga 70 kompanitë e anketuara u pohua se janë vërejtur vonesa të rëndësishme nga bankat në përpunimin e aplikimeve, për shkak të kohës që merr analiza e riskut.

Alban Zusi, kryetar i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, vlerëson se çdo lloj mase që merret në funksion të biznesit është pozitive, por në rastin e Garancisë Sovrane 2, ndikimi nuk ishte gjithëpërfshirës te prodhuesit dhe njësitë e shërbimit.

“Fakti që për kredi nëpërmjet Garancisë Sovrane 2 kanë aplikuar 294 biznese, është pozitiv, pasi këtyre sipërmarrjeve u është zgjidhur një problem dhe ekonomia do të ketë përfitime. Por masat që merren duhet të kenë ndikim më të gjerë, për 20 mijë biznese të prodhimit dhe shërbimit në vend. Garancia sovrane është një instrument, por ka edhe të tjera që mund të zbatohen.” Interesimi nga sektori i turizmit për Garancinë Sovrane 2 vazhdon të jetë ende i ulët, për shkak të interesit të lartë dhe kushteve të pafavorshme, siç shpjegon zoti Rrahman Kasa, kryetar i Unionit turistik Shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat