Basha homazhe për Azem Hajdarin: E sotmja është një thirrje për rininë

Shqipëria

Basha homazhe për Azem Hajdarin: E sotmja është një thirrje për rininë

Më: 12 shtator 2020 Në ora: 16:20
Foto nga vendi i ngjarjes

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë sot homaxhe në memorialin e Azam Hajdarit me rastin e përvjetorit të vdekjes së tij, 22 vite më parë në një atentat.

“Në përvjetorin e vrasjes së heroit të demokracisë Azem Hajdari, kujtojmë me nderim dhe respekt të thellë jetën dhe veprën e njeriut, që ia fali rininë dhe energjinë e tij demokracisë dhe lirisë. Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit është përjetë shembull frymëzimi, për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie Europiane, të një Shqipërie demokratike ku qytetarët janë zot të fateve të tyre.”, shkruan Basha në Facebook.

Kreu i opozitës shton se vepra e Azem Hajdarit duhet të shërbejë si thirrje për të rinjtë për të mos parë ikjen si zgjidhje për përballjen dhe fitoren

“E sotmja është po ashtu një thirrje për rininë që të mos shohin ikjen si zgjidhje, por përballjen dhe fitoren, ashtu siç bëri Azem Hajdari në dhjetorin e 1990 e në vitet që pasuan. Vepra e Azem Hajdarit është dëshmia e qartë se askush dhe asgjë nuk mund ta ndalë dëshirën, energjinë dhe vendosmërinë e rinisë por edhe të popullit shqiptar për ndryshim. Ndaj është koha që me frymëzimin e Azemit dhe bashkëluftëtarëve të tij të viteve ’90, të hapim rrugën e lirisë, demokracisë, mundësive të barabarta, Shqipërisë si gjithë Europa. I përjetshëm qoftë kujtimi i heroit të demokracisë, simbolit të luftës dhe përpjekjeve për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.”, mbyll postimin e tij Lulzim Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat