Nesër nis shkolla, çfarë duhet të dinë nxënësit dhe prindërit

Shqipëria

Nesër nis shkolla, çfarë duhet të dinë nxënësit dhe prindërit

Më: 13 shtator 2020 Në ora: 22:18
Foto ilustrim

Dita e nesërme shënon rifillimin e vitit të ri shkollor, por me pandeminë e Covid ende në Shqipëri, rregullat dhe ndjekja e tyre janë një faktor i rëndësishëm që nxënësit, studentët dhe prindërit duhet të marrin në konsideratë.

Me mbërritjen në shkollë, të gjitë nxënësit duhet të jenë të pajisur me maska dhe do duhet të ruajnë një distancë prej 2 metrash. Vijëzimet e kryera në çdo shkollë do të jenë ‘udhërrëfyesi’ i rrugës që do të kryejnë nxënësit nga ambjentet e jashtme të shkollës në klasa.

Para hyrjes në shkollë, nxënësit do t’i presë një infermier për të kryer matjen e temperaturës dhe dezinfektimin paraprak. Pas këtij procesi ata do të bëjnë dhe dezinfektimin e kepucëve në vendin përkatës i cili do të jetë i vendosur para derës të shkollës.

Me uljen në bankat e klasës, nxënësit nuk do të lejohen të qëndrojnë apo të lëvizin në korridore përveçse momentit kur hyjnë në klasë apo dalin nga mësimi.

Të gjithë nxënësit do të duhet të kenë me vete një formular ku do të jetë e deklaruar gjendja e tyre shëndetësore dhe e familjarëve.

E njëjta gjë do të jetë e vlefshme edhe për mësuesit. Ata do të duhet të jenë të pajisur me maska gjatë gjithë procesit mësimor.

Mbi nisjen e shkollës një mesazh e përcolli dhe Ministria e Shëndetësisë, para se të informonte për numrat Covid gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri.

“Me rinisjen e vitit te ri shkollor, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i drejtohet me një thirrje mësuesve, prindërve, nxënësve, të tregojnë kujdes me zbatimin me përpikëmri te masave që frenojnë përhapjen e covid19. Ministria e Shëndetësisë apelon për respektimin e distancimit social, vendosjen e maskave ose barrierave mbrojtëse, larjen ose dezinfektimin e duarve, ajrosjen e ambienteve, matjen e temperaturës së nxënësve çdo ditë. Të gjitha institucionet arsimore që fillojnë ditën e nesërme mësimin duhet të zbatojnë me rigorozitet Udhëzimin mbi masat anti-COVID19 me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit CARSCOV2. Strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmëri për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar.

Ju lutemi kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19. Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 nëse nuk e dini cili është mjeku juaj i familjes, dhe për çdo informacion te specializuar dhe te sigurt rreth Covid19.”-tha Dr.Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat