DPSHL: Oficerët koordinues për çështjet e Diasporës emërime partiake, pa transparencë

Shqipëria

DPSHL: Oficerët koordinues për çështjet e Diasporës emërime partiake, pa transparencë

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 20:05
Edi Rama

Emërohet për herë të parë oficerët koordinues për çështjet e Diasporës shqiptare pranë posteve konsullore të Republikës së Shqipërisë në Romë, Athinë, Milano dhe Selanik.

Lajmin e ka bërë të ditur “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” duke iu referuar  një lajmërim nga Kryeministri dhe Ministri i për Evropën dhe Punët e jashtme, Edi Rama, por ngre shqetësime për këto emërime.

Rama ka firmosur emërimin e katër emrave, përkatësisht Aurela Konduri, Selanik, Joneda Dodaj, Athinë, Luljeta Cobanaj, Milano dhe Edmond Kumarakun, Romë të cilët do të ushtrojnë detyrën e oficerit koordinues për Diasporën.

Në bazë të këtij propozimi të miratuar nga Këshilli i Ministrave oficerët koordinues për Diasporën do të merren me çështje të Diasporës në fushën e kulturës, arsimit, financës dhe drejtësisë.

Sipas revistës informative të Ministrisë së Shtetit për Diasporën, oficerët e koordinues do të fokusohen në forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të komuniteteve shqiptare, ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, nxitjen dhe organizimin e bizneseve shqiptare për të investuar në atdhe si dhe në asistimin e shtetasve shqiptarë, të cilët vuajnë heqjen e lirisë me vendim gjykate në shtetet pritëse.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë vlerëson përpjekjet e Tiranës zyrtare për tu afruar me komunitetet shqiptare jashtë kufijve si dhe ndihmën e cila kontribuon drejtpërdrejtë në zhvillimin, konsolidimin dhe faktorizimin e komunisteve diasporake shqiptare.

Po ashtu, DPSHL e konsideron këtë hap të domosdoshëm, por dhe të vonuar njëkohësisht.

Nga ana tjetër, DPSHL konstaton me shqetësim, se emërimet dhe akreditimi i oficerëve koordinues të Diasporës nuk vjen si rezultat i procedurave të mirëfillta konkurruese në ambasadat / konsullatat e vendeve përkatëse, por rezultojnë të jenë kryesisht emërime partiake në mungesë të një procesi transparent përzgjedhës.

“Duke iu referuar kuadrit ligjor për emërimin e oficerëve koordinues të Diasporës oficerët e akredituar shndërrohen në staf diplomatik me gradën “Sekretar i Parë”. Në bazë të ligjit Nr. 23 / 2015 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë , në shërbimin e Jashtëm pranohen personat, të cilët nuk bëjnë pjesë në asnjë parti apo shoqatë politike dhe që nuk marrin pjesë në veprimtaritë e organizuara prej tyre.

Në këtë kontekst mjafton të përmendet emërimi i z. Edmond Kumaraku, i cili rezulton të ketë qenë Kryetar i Partisë Socialiste, Dega Itali siç edhe pohohet në faqen kësaj Partie. Z. Kumaraku është gjithashtu ish-konsull në Romë dhe diplomati i parë i shkarkuar gjatë valës së shkarkimeve në misionet diplomatike nga Ministri i Jashtëm në detyrë në vitin 2019 z.Gent Cakaj, si pasojë e ankesave ndaj tij dhe emërimit nepotik dhe klientelist si dhe lidhjeve me persona të proçeduar penalisht.

Ngjashëm në këtë pozicion si oficere koordinuese e Diasporës është emëruar znj. Luljeta Cobanaj, ish-konsulle në Konsullatën e Përgjithshme të Milanos, e përjashtuar nga shërbimi diplomatik dhe ai konsullor në vitin 2016 pas denoncimeve në Media për abuzime brenda institucionit që ajo drejtonte.” – shkruan Diaspora për Shqipërinë e Lirë.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë e konsideron shqetësuese rehabilitimin e personave me një background politik apo historiku të përfolur.

DPSHL konstaton se emërimet dhe përzgjedhjet në postet strategjike që kanë të bëjnë me Diasporën janë në anakronizëm të plotë me zhvillimin profesional dhe sukseset e vazhdueshme të Diasporës shqiptare në vendet ku ajo jeton.

Në vijim të shkresës dhe në respekt të kuadrit ligjor për oficerët koordinues të Diasporës, lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë kërkon:

1. Të na informoni me shkrim mbi cilat baza profesionale nga ato që parashtron ligji, u zgjodhën 4 oficerët e lartpërmendur

2. Të rishikoni menjëherë emërimin e të tre oficerëve të përmendur në shkresë, emërimi i të cilëve në vigjilje të fushatës elekorale hedh hije dyshimi mbi pozitën dhe rolin e tyre.

3. Në bazë të Marrëveshjes së sipërpërmendur të datës 07.07.2020 midis dy Ministrive dhe në zbatim të kuadrit ligjor, të miratohen procedurat konkurruese dhe hapet procesi i aplikimit për njerëzit e interesuar nga komuniteti shqiptar në vendet përkatëse (Itali dhe Greqi).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat