Ngërçi në tryezën e Këshillit Politik për reformën, ja çfarë shkruan Zëri i Amerikës

Shqipëria

Ngërçi në tryezën e Këshillit Politik për reformën, ja çfarë shkruan Zëri i Amerikës

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 20:04
Këshilli Politik

Në Tiranë, forcat kryesore politike vazhduan edhe sot polemikat mbi reformën zgjedhore.

Ato zhvilluan sot një tjetër tryezë të Këshillit Politik, në përfundim të të cilës, renditën përsëri një seri mospajtimesh mbi çështje të procesit zgjedhor.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u bëri thirrje palëve për mirëkuptim, në mënyrë që të mbahen zgjedhje të rregullta, si një nga kërkesat e Bashkimit Europian.

Partitë politike u mbërthyen përsëri sot në replika dhe mospajtime mbi reformën zgjedhore, gjatë një tryeze të Këshillit Politik.

Ndërsa Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u bëri thirrje për mirëkuptim gjatë organizimit të zgjedhjeve parlamnetare, që tashmë janë dekretuar për në 25 prill.

Presidenti Meta tha se kërkesa e vetme e tij dhe e qytetarëve shqiptarë është të mbahen zgjedhje të lira e të ndershme, që të kthehet legjitimiteti i institucioneve, gjë që e kanë kërkuar SHBA dhe BE, të cilët ndërmjetësuan marrëveshjen e 5 qershorit.

“Ftoj gjithë aktorët politikë t’i qëndrojnë marrëveshjes së arritur me aq vështirësi e mund më 5 qershor, të mos devijojnë asnjë milimetër nga ajo marrëveshje. Të mos përdorin shkakun gjoja të listave të hapura për të prishur këtë marrëveshje. Përshëndes opozitën, e cila ka qenë e gatshme për hapjen e listave 100 për qind. Mendoj se është në dinjitetin e forcave politike që ta bëjnë këtë gjë” - tha zoti Meta.

Zoti Meta foli për rrezikun e shkeljeve të njëanshme të marrëveshjeve dhe ligjeve, të cilat sipas tij, do të konsiderohen si përpjekje për grusht shteti.

Në një kohë me konferencën e presidentit me shtypin, në krahun tjetër të shëtitores Dëshmorët e Kombit partitë politike dolën me mospajtime të reja nga tryeza e radhës e Këshillit Politik.

Në tryezën e sotme Partia Socialiste erdhi me një projekt të sajin mbi listat dhe koalicionet zgjedhore.

“Sot ne sollëm një produkt konkret. Ai mund të mos jetë perfekt, është një draft që kërkon inputin e të gjitha palëve. Në atë draft parashikohet koalicioni zgjedhor dhe nuk është fare e vërtetë se nuk u parashikoka koalicioni pasi publiku është njohur me këtë fakt. Parashikohet vota parapëlqyese për çdo kandidat dhe natyrisht mekanizmat që mundësojnë realisht ndarjen e mandateve mbi bazën e peshës elektorale që kanë kandidatët. Zgjedhësi voton edhe për partinë politike, edhe për individët e veçantë” - tha zoti Gjiknuri.

Por projekti i socialistëve u pa me mosbesim nga opozita, e cila është shprehur për lista të hapura 100 për qind në zgjedhje.

Partia Demokratike kërkoi që Partia Socialiste të japë dakordësinë për të kërkuar nga OSBE/ODIHR asistencë dhe opinion në lidhje me përputhshmërinë me standardet të propozimit që erdhi nga socialistët.

“Ajo që po kërkojmë ne është pikërisht gjetja e një zgjidhje të pranueshme konsensuale. Partia Socialiste insiston që të ndryshojë atë që është konsensualisht e dakordësuar për 17 vjet deri me datë 21 korrik 2020. Për këtë ka mosdakordësi dhe ne kërkojmë zyrtarisht nga Partia Socialiste që nëpërmjet Këshillit ti drejtohemi OSBE-ODIHR. Kërkesa është zyrtare, presim sot përgjigje zyrtare me shkrim nga përfaqësuesi i maxhorancës” - tha zoti Bylykbashi.

Partitë kryesore politike arritën një marrëveshje më 5 qershor dhe pikat e saj u përfshinë në Kodin Zgjedhor në korrik, por njëkohësisht me to u bënë edhe edhe ndryshime kushtetuese që kanë të bëjnë me sistemin dhe listat zgjedhore.

Vëzhgues të pavarur mendojnë që edhe pse bisedimet e nisura mes palëve në janar mbi reformën zgjedhore ende nuk janë përmbyllur deri tani në shtator, madje mund të humbet edhe shumë kohë tjetër, ndonëse zgjedhjet u dekretuan 8 muaj përpara, duke vënë në vështirësi administratën e re zgjedhore./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat