Transgjinori Luana: E braktisa Durrësin për Elbasanin pasi psikologia më ‘tradhëtoi’, mësuesit talleshin me mua

Shqipëria

Transgjinori Luana: E braktisa Durrësin për Elbasanin pasi psikologia më ‘tradhëtoi’, mësuesit talleshin me mua

Më: 19 shtator 2020 Në ora: 15:15
Transgjinori Luana

Transgjinori Luana ka treguar se për shkak të paragjykimeve dhe talljeve nga të tjerët është detyruar që të largohet nga qyteti i tij i Durrësit, për në Elbasan.

Ai ka kërkuar ndihmën e psikologes të shkollës kur shkoi në vitin e parë gjimnaz në Durrës, por psikologia i ka treguar historinë e tij edhe kolegëve të saj.

I ftuar në emisionin Historia ime, përballë Mirela Milorit, Luana tha se nga ky moment mësuesit filluan ta pëqeshnin e ta shihnin me sy të keq.

Madje Luana filloi të binte nga mësimet, për këtë arsye vendosi që të shkonte në Elbasan, ku gjeti shumë paqe dhe rehati si në shkollë ashtu edhe në shoqëri. Flet gjithashtu nëse emri ka lidhje me Luana Vjollcën si dhe faktin se e ka pritur familja vendimin e tij.

Pse u largove nga Durrësi për në Elbasan?

U regjistrova në shkollë në vitin e parë në qytetin e Durrësit dhe duke u shoqëruar me njerëz trasgjinorë si puna ime në qytet fillova të ekspozohesha më shumë. Aty filluan ngacmimet më shumë, puls që pata një interivistë në shkollë me psikologen, kur në ato momente me shumë trysni, unë kisha shumë nevojë për ndihmë, kisha nevojë të shprehesha tek dikush dhe të flisja se çfarë po ndodh me mua.

Plus e transgjinorët si puna ime fillova t’i merrja fobi sepse nuk doja të përfundoja si ato. Unë ëndërroja që në fëmijëri të isha një femër e fuqishme, të mbaroja një arsim, një femër e pavarur. Të gjitha këto dëshira fillova t’ja tregoja psikologes. Normalisht si në Shqipëri që jemi, nuk të mban gjë barku dhe normalisht do shprehesh tek kolegia dhe ashtu bëri edhe psikologia.

Pra theu kodin e saj të punës?

Ajo tregoi, dhe pashë një ndryshim kolosal tek mësuesit në mënyrën si silleshin me mua, kur ngrihesha në mësim më shikonin me përqeshje. Filluan të më hidhnin fjalë, më pas u përhap më shumë. Filluan ngacmime nga çunat, kërcënime të kota, gjë që më bëri të futesha në trysni dhe të bija nga mësimet. Kështu vendosa të lija familjen e qytetin e të shkoja në Elbasan. Kam qëndruar 3 vite në Elbasan tek shoqata Tjetër Vizion , jetoja tek ajo shoqata.

Vazhdove shkollën aty, me çfarë rezultatesh?

Isha presidenti i shkollës, gjithmonë unë isha vëmendja e shkollës, në çdo aktivitet mësuesit me mua krenoheshin. Në çdo mbledhje që vinin nga Ministria unë dilja përpara dhe prezantohesha. Në shkollë kam pasur një eksperiencë shumë të bukur e shokët më kanë mbështetur pavarësisht orientimit tim.

Pse ke zgjedhur emrin Luana?

Shumë veta mendojnë për shkak të Luana Vjollcës, unë e vlerësoj si personazh, por jo. Thjesht unë i përkoj shenjës së Luanit në horoskop. Meqë kam punuar një vit në televizion dhe një vit kam lexuar horoskopin aty, u fiksova shumë.

Si je përpjekur t’ja shpjegosh të shtëpisë.

Ata e kishin kuptuar dhe përpiqeshim që të mos e ngacmonim njëri-tjetrin si për shembull pse vishesh kështu si femer apo me këto ngjyra, e kemi lënë pezull. Por unë e lëshova topin, duke dalë në televizion në 17 Maj para dy vitesh duke dhënë një intervistë të shkurtër me mikrofon. Përmes televizionit ata mësuan të vërtetën time. Në fakt ata e dinin, thjesht ata më panë të veshur, të lyer.

Mirela Milori: Çfarë ndodhi kur shkove në shtëpi?

Asnjë gjë, madje unë isha frikësuar dhe kisha mbajtur një tërheqje duke mos kontaktuar pak me familjen, duke menduar prit sa të qetësohen.

Po me babin si ka qenë marrëdhënia?

Babai im ka qenë njeri shumë i butë dhe i mrekullueshëm sepse nuk më ka privuar asnjëherë nga gjërat që unë dua. Sigurisht që ka ato shqetësimet e veta por nuk ka ushtruar dhunë apo ku di unë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat