Deputetët/ PD sfidon PS-në, Bardhi e Spaho: E vetmja parti që i zgjedh emrat nga baza

Shqipëria

Deputetët/ PD sfidon PS-në, Bardhi e Spaho: E vetmja parti që i zgjedh emrat nga baza

Më: 25 shtator 2020 Në ora: 15:09
Foto ilustrim

Partia Demokratike nisi procesin e votimit nga anëtarësia të kandidatëve të mundshëm për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një proces që nisi nga qarku i Kukësit, që njihet edhe si bastioni i demokratëve.

Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho deklaroi se për herë të parë në pluralizmin e Shqipërisë, një parti politike cakton kandidatë për deputetë, emra që zgjidhen përmes votës së anëtarësisë. Sakaq ish-deputeti thekson se Partia Demokratike është e vendosur që të përfaqësohet nga populli.

“Për herë të pare në historinë e pluralizmit në Shqipëri një parti politike cakton kandidatet që doe e perfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë, në pushtetin qendror dhe vendor nëpërmjet votës së anëtarësisë. Sot në Degën e PD Has filloi procesi i votimit të kandidatëve të Degës për poste të larta politike. Partia Demokratike është e vendosur që përfaqesuesit e saj në çdo nivel të jenë produkt i vullnetit të qytetarëve dhe shembull i integriteti politik, shoqëror dhe profesional. Partia Demokratike nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë strehë e krimit dhe bandave, përfaqësuesve të oligarkëve, atyre që shpërdorojnë mundin, djersën dhe taksat e qytetarëve shqiptare”, shprehet Spaho.

Më herët ishte edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili po ndjek në Kukës procesin e votimit të anëtarësisë. “Sot Partia Demokratike nis fushatën elektorale me një hap të madh për fitoren e thellë të Partisë Demokratike, me hapin e përzgjedhjes së ekipit më të mirë me të cilën ne do t’i prezantohemi qytetarëve. Sot, qytetarët shqiptarë me këtë proces që e nisim nga Kukësi, kanë mundësinë të shikojnë dallim midis një partie, Partisë Demokratike, që përzgjedhjen e kandidatëve ia beson qytetarëve dhe anëtarëve të saj dhe partisë së kryeministrit në ikje, që kandidatët i përzgjedh në bashkëpunim me Niçen dhe shokët e tij”, shprehet Bardhi.

Sipas tij, qytetarët po e mbështesin praktikën e re të PD për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në çdo nivel përfaqësimi nëpërmjet parimit një anëtar një vote.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat