Ligji i zgjedhjeve, s’ka konsensus/ Të hënën nis diskutimi në Kuvend, PD e LSI, edhe 5 ditë kohë për variantin e tyre

Shqipëria

Ligji i zgjedhjeve, s’ka konsensus/ Të hënën nis diskutimi në Kuvend, PD e LSI, edhe 5 ditë kohë për variantin e tyre

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 20:00
Kuvendi i Shqipërisë

1 tetori është afati i përcaktuar nga shumica parlamentare për të kaluar në Parlament ndryshimet e kodit zgjedhor për listat, pragun e ri elektoral dhe formulën e re të koalicioneve.

Të hënën nis zyrtarisht diskutimi në Kuvend i propozimit të socialistëve, i cili edhe pse lejon votën preferenciale për një kandidat, renditja e tyre bëhet sërish nga kryetari. Që një kandidat të spostojë kolegët të cilët janë renditur të parët, i duhet të grumbullojë vota të paktën sa mesatarja e partisë së tij në atë zonë për të kaluar tek lista fituese.

PD-LSI kanë 5 ditë kohë për të depozituar një draft alternativ, por opozita joparlamentare nuk ka ndërmend të bëjë asnjë propozim pasi ajo këmbëngul në ruajtjen e formulës së koalicioneve me listë të përbërë dhe për këtë ka kërkuar ekspertizën e OSBE-OHDIR.

Pakica parlamentare edhe pse kundërshtoi variantin e socialistëve nuk hezitoi të depozitojë dy propozime të ndryshme. Fillimisht Rudina Hajdari kërkoi hapjen e plotë të listave dhe renditjen e kandidatëve sipas rendit alfabetik. Por, opozita parlamentare ndryshoi shpejt qëndrim dhe bëri një propozim të ri, duke ja lënë në dorë kryetarit t’i hapë plotësisht listat apo të mbaje të mbyllur 1/3 e tyre formulim i njëjtë si në kushtetutë.

Ndërkohë, sa i takon pragut të vegjlit kërkojnë të ulet edhe më shumë nga sa është aktualisht duke shkuar në 1 përqind.

Në Këshillin Politik socialistët treguan limitet kohore. Ndryshimet e kodit elektoral që reflektojnë ato kushtetuese me apo pa konsensusin PD-LSI duhet të miratohen brenda javës së ardhshme në Parlament. Por, shumicën parlamentare e pret një tjetër betejë në Parlament pasi miratimi i kodit kërkon 84 vota të cilat nuk i ka ndërkohë opozita parlamentare ka paralajmëruar bllokimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat