SPAK ti japë fund abuzimit, Prençi: Infrastruktura nëntokësore e Tiranës nuk përballon ndërtimet gjigante

Shqipëria

SPAK ti japë fund abuzimit, Prençi: Infrastruktura nëntokësore e Tiranës nuk përballon ndërtimet gjigante

Më: 27 shtator 2020 Në ora: 08:01
Shemsi Prençi

Ish-kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, thotë se lejet e ndërtimit pa kriter dhe abuzimi me to duhet të jenë objekt hetimi i SPAK.

Duke u ndalur në Tiranë, aty ku ky fenomen është më i përhapur, Prençi thotë se kryeqyteti është i papërgatitur në pikëpamjen e infrastrukturës nëntokësore për të përballuar këto ndërtime gjigante që kemi mbi tokë.

Prençi: Lejet e ndërtimit tashmë nuk kalojnë aspak për tu studiuar nga institucionet përgjegjëse, nga Instituti i Ndërtimit, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, apo Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Zjarrfikës. Po të shikojmë edhe rrugët e reja që po hapen nuk kanë impiante të shërbimit zjarrfikës, jo më të studiohen kapacitetet e përballimit të ujërave të nëndheshme dhe ato sipërfaqësore. Sistemi i lejeve të ndërtimit në Tiranë por jo vetëm, sidomos në Durrës, madje edhe këto ndërtimet që po bëhen pas tërmetit do të ishin një objekt pune i prokurorisë së përgjithshme, i prokurorive të rretheve, madje dhe i SPAK.

Është mëse kriminale kur me miliona euro hidhen qoftë nga buxheti i shtetit apo kompanitë private.Një ndërtim pa kriter me babëzi për përfitime marramendëse, këto lloj ndërtimesh kanë filluar pas viteve 2000 masivisht. Bëhen tolerime duke favorizuar klientelën qoftë në sipërfaqet e ndërtimit, qoftë në lartësi, për rrjedhojë Tirana është e papërgatitur në pikëpamjen e infrastrukturës nëntokësore për të përballuar këto ndërtime gjigante që kemi mbi tokë.

Për rrjedhojë ne do të jemi në pushtetin e ujit, të shiut, në kohë relativisht të gjata qoftë në pranverë, qoftë në vjeshtë apo dimër. Por mos harrojmë se kemi patur përmbytje edhe në mes të verës në Tiranë. Duhet të jetë patjetër objekt i hetimit të prokurorisë që ti thuhet stop këtij fenomeni mëse kriminal. Në raport me jetën dhe cilësinë e jetës në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë.

Për Ora News, Prençi deklaroi se është e patolerueshme që qyteti i Lezhës, Durrësit, Fierit, Vlorës, të përmbyten që me shirat e para.

Prençi: Ministria e Mbrojtjes si përgjegjëse e Emergjencave Civile duhet të kishte ngritur helikopterët për të bërë monitorimin e situatës së pastrimit të kanaleve të ujërave të larta, duhet të kishte krijuar një raport për gatishmërinë që duhet të kishte siguruar Ministria e Bujqësisë për hidrovoret dhe kanalet e ujërave të larta, duhet tu kishte kërkuar një raport të hollësishëm bashkive për gatishmërinë e sistemit të ujërave të mesme me qëllim që pas këtij raporti të kërkonte llogari.

Media duhet të ngrejë dronët dhe të shikojë çfarë panorame krijohet në vjeshtën e vitit 2020 në të gjithë ultësirën perëndimore të Shqipërisë, asnjë kanal nuk është pastruar.Është viti i parë më i keqi në raport me pastrimin e ujërave të larta në ultësirën perëndimore. E prisja të ndodhte kjo që me shirat e para.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat