Bylykbashi: Kushtetuta s’përcakton formën e koalicioneve

Shqipëria

Bylykbashi: Kushtetuta s’përcakton formën e koalicioneve

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 17:28
Oerd Bylykbashi

Opozita nuk heq dorë nga propozimi i saj i draftuar tashmë, ku ruhet koalicioni me listë të përbërë dhe hapje 100% e listave të kandidatëve në zgjedhje.

 “Siç është sot në Kodin Zgjedhor e dakordësuar me konsensus në vitin 2003 dhe e rikonfirmuar deri më datë 23 Korrik, pra koalicion me listë të përbërë, çdo parti ka të drejtë të garojë me kandidatët e saj në kuadër të një koalicioni. Dhe siç kishim kërkuar e premtuar, lista 100% të hapura”.

I mandatuari i opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi thotë se drafti i mazhorancës bie ndesh me vetë ndryshimet e bëra në 30 Korrik nga shumica në ligjin themeltar të shtetit.

“Propozimi i PS është haptazi në kundërshti me ndryshimin e 30 Korrikut, sepse Kushtetuta pas 30 Korrikut nuk lejon më që një koalicion të prezantojë kandidatë, ndërsa propozimi që bën PS i jep të drejtën koalicionit të propozojë kandidatë, pra konflikti është i pastër me nenin kushtetues. Kanë dashur të vënë vetullat dhe kanë nxjerrë sytë. Ky është një konflikt i cili nuk mund të bëjë palë opozitën”.

Për Bylykbashin qëndrimi i mbajtur në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve nga Damian Gjiknuri, duke mos u tërhequr nga ndryshimi në Kodin Elektoral me argumentin se duhet reflektuar ndryshimi kushtetutues, është gënjeshtra e radhës e socialistëve.

“Kjo është gënjeshtra e përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Kushtetuta nuk përcakton asnjë lloj forme koalicioni, Kushtetuta lejon vetëm koalicion, por një formë të veçantë as e përcakton dhe s’e ka përcaktuar kurrë. Aq më pak përcakton atë që propozon PS, koalicion me listë unike, apo listë të përbashkët, ku të gjithë kandidatët e të gjitha partive futen në një listë të vetme duke u bërë një mish mash kandidaturash”.

Mazhoranca, sipas Bylykbashit kërkon diçka antikushtetuese me qëndrimin e saj duke propozuar një koalicion ku kandidati propozon koalicionin, ndërsa opozita thotë se ai kërkon një koalicion ku kandidatët i propozojnë partitë e koalicionit, në përputhje me ligjin themeltar të shtetit.

“Pse? Sepse Kushtetuta i lejon partive politike të drejtën të propozojnë kandidatë dhe jo koalicionit. Koalicioni që propozojmë në kod nuk ia jep të drejtën atij koalicioni që të propozojë por partive individuale të atij koalicioni. Pra siç thotë Kushtetuta, me modelin aktual kandidatët do t’i propozojnë partitë dhe jo koalicioni, siç është hequr tashmë nga Kushtetuta”.

Bylykbashi akuzon gjithashtu mazhorancën se po shkel jo vetëm Kushtetutën por edhe rregulloren e Kuvendit duke futur me procedurë të përshpejtuar miratimin e ndryshimeve në Kodin Elektoral në seancën plenare të 1 Tetorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat