Liroi nga burgimi i përjetshëm Gerd Gjenerarin/ Ja çfarë vendosi KLGJ për gjyqtarin Markelian Kuqo

Shqipëria

Liroi nga burgimi i përjetshëm Gerd Gjenerarin/ Ja çfarë vendosi KLGJ për gjyqtarin Markelian Kuqo

Më: 2 tetor 2020 Në ora: 13:51
Foto Ilustrim

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur sot t’i japë dy javë kohë, gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo për të cilin është kërkuar shkarkimi nga detyra nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani.

Gjatë seancës së sotme, Kuqo i cili ka firmosur vendimin për të liruar nga burgimi i përjetshëm, Gerd Gjenerarin, ka thënë se s’ishte dakord me pretendimet e ILD-së.

‘’S’jam dakord me pretendimet e ILD. KLGJ të shqyrtojë problematikën se për çfarë ndodhem. S’kam komunikim zyrtar se pse ndodhem në procedim. Nuk kuptoj arsyet pse nisi hetimi disiplinor ndaj meje. Faktet kishin natyrë paragjykuese, në mungesë të argumentit’’- tha gjyqtari Kuqo.

Pas seancës me dyer të mbyllura, KLGJ ka publikuar listën e vendimeve dhe nga ky theksohet se seanca e radhës ndaj Markelian Kuqos do të zhvillohet më datë 14 tetor.

“Pas fillimit të shqyrtimit të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor në ngarkim të Markelian Kuqos me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së magjistratit nën procedim për shtyrjen e seancës dëgjimore me datë 14 Tetor 2020, me qëllim ushtrimin prej tij të të drejtës efektive të mbrojtjes, në zbatim të parimeve themelore të ligjshmërisë si dhe procesit të rregullt ligjor”, thuhet në vendimin e KLGJ.

KONSTATIMET

Në pretendimet e paraqitura nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani theksohet se gjyqtari Markelian Kuqo ka kryer shkelje të rëndë disiplinore, pasi me vendimmarrjen e tij, duke liruar nga burgimi i përjetshëm të dënuarin, Gerd Gjenerari. “Vetë magjistrati ka injoruar edhe praktikën e ndjekur prej tij, gjatë trajtimit të kërkesave të ngjashme me objekt “Lirim me kusht”, duke sjellë disa pasoja: – Natyra dhe rrethanat e shkeljes disiplinore të gjyqtarit Markelian Kuqo kanë prodhuar mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal.

– Pasojat e shkeljes disiplinore kanë sjellë lirimin e një të dënuari, që përbën rrezik për komunitetin dhe shoqërinë, e në kundërshtim më parashikimet legjislacionit material dhe procedural penal.

– Pasojat e shkeljes disiplinore kanë shkaktuar cënimin e imazhit të sistemit gjyqësor dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë

– Sjellja e papërshtatshme e magjistratit mbart rrezikun e krijimit të një precedenti për t’u ndjekur edhe nga magjistratë të tjerë, duke krijuar terren për sjellje të papërshtatshme dhe në raste të tjera të ngjashme”, theksohet në pretendimet e ILD.

SHKELJET E MARKELIAN KUQOS SIPAS ILD

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit Markelian Kuqo, të Gjykatës së rrethit Korcë më 2.04.2020, bazuar në një kërkesë të depozituar nga ministri i Drejtësisë, pasi gjyqtari më 14.02.2019 vendosi/urdhëroi lirimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997. Vendimi për lirimin u rrëzua nga Gjykata e Apelit Korçë gjashtë muaj më vonë.

Hetimi i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, për shkelje disiplinore të parashikuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 140, pika 2, shkronja “a”), dhe të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, (neni 102 pika 2 shkronjat “a” dhe “ b”), konkludon se magjistrati ka kryer veprime e mosveprime me dashje, në mënyrë të drejtpërdrejtë, të vazhduar, të vullnetshme e të pajustifikuar brenda të njëjtit proces.

Hetimi disipinor ka konstatuar mes të tjerash, zbatim të gabuar të dispozitave të ligjit material dhe procedurial penal; referenca kontradiktore; mosrespektim të kritereve ndaluese të lirimit me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje; arsyetim jo në përputhje me provat e administruara në gjykim e as me faktet dhe rrethanat e provuara gjatë procesit gjyqësor. Këto të fundit janë parashtruar dukshëm në mënyrë të shtrembëruar.

Vetë magjistrati ka injoruar edhe praktikën e ndjekur prej tij, gjatë trajtimit të kërkesave të ngjashme me objekt “Lirim me kusht”, duke sjellë disa pasoja:

– Natyra dhe rrethanat e shkeljes disiplinore të gjyqtarit Markelian Kuqo kanë prodhuar mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal.

– Pasojat e shkeljes disiplinore kanë sjellë lirimin e një të dënuari, që përbën rrezik për komunitetin dhe shoqërinë, e në kundërshtim më parashikimet legjislacionit material dhe procedural penal.

– Pasojat e shkeljes disiplinore kanë shkaktuar cënimin e imazhit të sistemit gjyqësor dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë

– Sjellja e papërshtatshme e magjistratit mbart rrezikun e krijimit të një precedenti për t’u ndjekur edhe nga magjistratë të tjerë, duke krijuar terren për sjellje të papërshtatshme dhe në raste të tjera të ngjashme.

Të gjitha veprimet e mosveprimet e ndërmarra e të evidentuara në mënyrë të detajuar në raportin e hetimit, përbëjnë  “Shkelje shumë të rëndë disiplinore”, pasi vlerësohen si akte që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës dhe për rrjedhojë e bëjnë atë të papërshtatshëm apo të padenjë për të vazhduar funksionin e tij si magjistrat.

Për pasojë  Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit Markelian Kuqo, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për shkeljet disiplinore të parashikuara nga Kushtetuta e Shqipërisë (neni 140, pika 2, shkronja “a”) dhe Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar (neni 102, pika 2, shkronjat “a” dhe “b”) dhe caktimin ndaj tij të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.”, thuhet në pretendimet e ILD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat