Ekzekutimi i kushërinjve në Malësinë e Madhe, autori i skeduar për trafik në Malin e Zi

Shqipëria

Ekzekutimi i kushërinjve në Malësinë e Madhe, autori i skeduar për trafik në Malin e Zi

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 15:54
Foto ilustrim

Policia e Shtetit duket se e ka lënë në dorë të autoriteteve malazeze kapjen e 25-vjeçarit Daniel Pepaj, i cili është arratisur në shtetin fqinj pas vrasjes së dy kushërinjve Klement Pepaj e Vilson Çutaj, me të cilët pati konflikte për kanabisin në zonën e Malësisë së Madhe.

Burime nga Policia e Shtetit thanë se i kanë dhënë informacione palës malazeze pasi ka të dhëna se i kërkuari strehohet në periferi të Podgoricës prej të paktën një jave.

Nga ana tjetër policia e Malit të Zi ka kryer verifikimet e saj dhe ka rezultuar se para se të kryente vrasjen me 3 tetor, Pepaj ka qenë i skeduar dhe për trafik të lëndëve narkotike në linjën Shkodër – Podgoricë.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, në informacionin e sjellë me letër-porosi thuhet se i riu ndonëse nuk ka qenë i ndaluar ndonjëherë, mbahej nën vëzhgim si person i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.

Fakti që i riu nuk është arrestuar deri më tani, ka të bëjë me njohjen e mirë të terrenit dhe lidhjet shoqërore që i riu ka në Malin e Zi, pasi për shumë kohë ka punuar atje.

Policia ka negociuar edhe me familjarët e të riut, por deri më tani bisedimet kanë dështuar për dorëzimin e të dyshuarit në polici, ndërsa i kërkuari është ndihmuar dhe nga rrethi i tij shoqëror për t’u fshehur.

Trupat e dy të rinjve Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj u gjetën 5 ditë pas zhdukjes në një zonë të thellë malore në afërsi të fshatit Vrith.

Policia ende nuk e ka gjetur armën e përdorur nga i riu për ekzekutimin e 2 kushërinjve, ndërkohë që pas ngjarjes Gjykata e Shkodrës la në burg babain e Danielit, Rrok Pepajn, i cili u arrestua si person në dijeni për parcelat me kanabis.

Gjatë kërkimeve për trupat e dy të rinjve që mbetën të vrarë, policia zbuloi dhe dy parcela të tjera me rreth 50 rrënjë kanabis. Pak metra nga këto dy parcela është konstatuar dhe një kasolle, me kanabis të tharë dhe të djegur, që dyshohet se është asgjësuar nga 25-vjeçari Pepaj para se të arratisej në Mal të Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat