Çuditë me incineratorin e Fierit, fitoi 1.7 miliardë lekë por Përmbarimi i bllokoi asetet

Shqipëria

Çuditë me incineratorin e Fierit, fitoi 1.7 miliardë lekë por Përmbarimi i bllokoi asetet

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 16:22
Foto ilustrim

Kompania që fitoi incineratorin e Fierit u krijua pak ditë para fitimit të kontratës. Madje deri në vitin 2019 ka përfituar 1.7 miliardë lekë fonde. Pavarësisht kësaj, rezulton se përmbarimi ka bllokuar asetet për 6 raste të faturave të pashlyera me vlerë 435 mijë euro dhe 34 milionë lekë.

Koncesionet e inceneratorëve janë kthyer ditët e fundit në temën kryesore të përplasjes së partive politike.

Një nga rastet e shumëpërfolura është impianti për përpunimin e mbetjeve në Fier, kompania fituese e të cilës është “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.

Përveç problemeve të vonesave dhe kostove nga buxheti i shtetit, ky subjekt gjendet nën masën e sekuestros konservative që prej gushtit të vitit 2020, të dhëna këto të bëra publike në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Siapas dokumentit të përmbarimit, ky subjekt ka akumuluar detyrime në vlerën e 435 mijë e 935 eurove dhe 34.7 milionë lekëve të pasqyruara në gjashtë urdhra për vënien në sekuestro.

Gjithçka ka nisur më30 nëntor të vitit 2016, kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë lidhi një kontratë koncesionare me subjektin “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.

Ndërkohë që sipas Open Data, koncesioni është shpallur në 13 korrik të vitit 2016, ndërsa fituesi është zgjedhur në 15 shtator.

Por të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit tregojnë se kjo kompani është themeluar në tetor të po atij viti, teksa Ministria e Financave bën të ditur se kontrata është nënshkruar vetëm një muaj pas themelimit të subjektit.

Projekti ka një kohëzgjatje prej 6 vjetësh dhe me një mbështetje buxhetore me vlerë prej 4.5 miliardë lekësh, të cilat kanë filluar në vitin 2017 dhe përfundojnë në vitin 2023.

Në dy vite, këtij subjekti i janë shlyer 1.7 miliardë lekë.

Por pavarësisht se detyrimet janë kryer nga ana e shtetit, përpunimi i mbetjeve nga ana e privatit nuk është kryer, pasi ai është ende në proces ndërtimi.

Në kompaninë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k   rezultojnë aksionere dy subjekte të tjera, “Integrated Technology Services” me 70% dhe “Ndërtim Montimi Patos me 30%”.

Sipas të dhënave, Klodian Zoto zotëron 100% të aksioneve të kompanisë “Integrated Technology Services”, ndërkohë që “Ndërtim Montimi Patos” rezulton të ketë shtuar objektin e aktivitetit të tij dhe përpunimin e mbetjeve, veprim i kryer në shtator të vitit 2015.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat