Ilir Beqaj i përgjigjet gazetarit për ligjin “Për metrologjinë”: 5 të pavërtetat e tij, publiku vlerëson se kush është “lubrifikuar”

Shqipëria

Ilir Beqaj i përgjigjet gazetarit për ligjin “Për metrologjinë”: 5 të pavërtetat e tij, publiku vlerëson se kush është “lubrifikuar”

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 19:17
Ilir Beqaj

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj i është përgjigjur gazetarit Klodjan Tomorrit sa i takon akuzave të këtij të fundit për miratimin e ligjit “Për metrologjinë”, shtimin e kontrolleve dhe tarifave për pompat e karburantit.

Në një postim në Facebook, deputeti Beqaj sqaron të gjitha akuzat dhe pretendimet që ka bërë gazetari Tomorri sa i takon tarifave dhe kontrolleve të pompave. “Projekti i qeverisë flet për “jo më pak se dy herë në vit”. Pra ka vendosur një dysheme, ndërsa kontrolli mund të jetë 2, 3, 4 e me rradhë më shumë herë në vit. Projekti ligji nuk flet fare për tarifa të kontrollit. Tarifat në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit përkatës, janë kompetencë e ministrisë përgjegjëse për financat dhe e ministrisë përgjegjëse të fushës që rregullohet (në rastin në fjalë e ministrisë përgjegjëse për metrologjinë)”, shkruan ndër të tjera deputeti Beqaj.

Postimi i plotë i deputetit Ilir Beqaj: 

Prej rreth dy javësh, me këmbëngulje, gazetari Klodjan Tomorri vijon të shkruajë të pavërteta lidhur me diskutimet dhe, së fundmi, miratimin e ligjit të ri “Për metrologjinë”.

Ja çfarë shkruan gazetari Tomorri më së fundmi:

“Dy ditë më parë në Kuvend u konsumua një kurvëri e pështirë intelektuale. Deputetët diskutuan 3 orë për një ligj idiot grash dhe brenda vetëm 3 minutave diskutuan dhe votuan një ligj, që u merr qytetarëve shqiptare miliona euro të tjera për t’i devijuar në llogari private.

Bëhet fjalë për ligjin e ri për metrologjinë, i cili zgjeron koncesionin e pompave të karburanteve duke rritur frekuencën e kontrolleve. Neni që rrit kostot për qytetarët u propozua në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese nga deputeti socialist Ilir Beqja.

Para votimit, vetë Ministria e Financave e kundërshtoi amendamentin e propozuar nga Beqja duke deklaruar se është në kundërshtim me rekomandimet e Organizatës Botërore të Metrologjisë, e cila rekomandon vetëm dy kontrolle në vit për instrumentat matës.

Po kështu sipas Ministrisë, masa e propozuar nga deputeti Beqja, qartësisht do të rrisë ndjeshëm kostot që paguajnë qytetarët në çmimin e karburantëve.

Zoti Beqja dhe deputetët e tjerë propozues e justifikuan masën e rritjes së kontrolleve me interesin publik për të mos lejuar abuzimet në tregun e karburanteve. Pas ketyre debateve, ministrja e Financave, bëri kundërpropozimin që meqë deputet kërkojnë shtim të kontrolleve, ajo të bëhet pa tarifë shtesë për qytetarët dhe kostoja të përballohet nga vetë kompania koncesionare.

Por zoti Beqja dhe kolegët e tij iniciatorë që thonin se po mbronin interesin publik nuk pranuan që shtimi i kontrolleve të bëhej pa tarifë shtesë. Përkundrazi, çdo kontroll i pompave nga koncesionari do të tarifohet me 60 euro. Kompanitë që tregtojnë karburant këtë kosto do ja u përcjellin qytetarëve në çmimin e naftës.”

Në vijim është neni 22 sipas projektit të qeverisë.

Neni 22 (propozimi i qeverisë)

Verifikimi i instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara

1. Të gjitha instrumentet matëse ligjërisht të kontrolluara, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, i nënshtrohen verifikimit që mund të jetë fillestar, pasardhës, periodik i rregullt, i kryer në intervale kohore specifike dhe jashtë radhe. Shtimi i frekuencës së verifikimeve të lartpërmendura bëhet në varësi të analizës së riskut në treg. Verifikimi i instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara, të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, bëhet jo më pak se dy herë në vit dhe përfshin kontrollin dhe sigurimin e regjimit automatik.

Le ri marrim me rradhë të pavërtetat e gazetarit Tomorri.

Së pari, projekti i qeverisë flet për “jo më pak se dy herë në vit”. Pra ka vendosur një dysheme, ndërsa kontrolli mund të jetë 2, 3, 4 e me rradhë më shumë herë në vit.

Së dyti, në se Organizata Botërore e Metrologjisë thotë se duhen vetëm dy kontrolle në vit, nuk është Ilir Beqaj por ministria përgjegjëse për metrologjinë që ka propozuar përtej rekomandimeve të OBM.

Së treti, “shtimi i frekuencës” nuk është propozim i Ilir Beqaj, por propozim i vetë projektit të qeverisë.

Së katërti, kush di abc-në e procedurave parlamentare të diskutimit e miratimit në seancë të projektligjit e di shumë mirë se propozimi i një ndryshimi nuk bëhet me fjalë gjatë diksutimi, por formulohet dhe dorëzohet në formën e amendamentit. Kushdo deputet mund të bënte amendimin dhe të mos mjaftohej vetëm me fjalë.

Së pesti, projekti ligji nuk flet fare për tarifa të kontrollit. Tarifat në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit përkatës, janë kompetencë e ministrisë përgjegjëse për financat dhe e ministrisë përgjegjëse të fushës që rregullohet (në rastin në fjalë e ministrisë përgjegjëse për metrologjinë).

Për të sqaruar në mënyrë shterruese publikun, në vijim është dispozita në fjalë e miratuar në seancë bazuar në propozimet e mija.

Neni 22 (miratuar në seancë plenare)

Verifikimi i instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara

1. Të gjithë instrumentet matës ligjërisht të kontrolluar, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, i nënshtrohen verifikimit që mund të jetë, fillestar, pasardhës, periodik i rregullt, i kryer në intervale kohore specifike, dhe jashtë radhe. Në varësi të analizës së riskut dhe problematikave të tregut, por në çdo rast jo më pak se 5%, periodiciteti i verifikimeve të larpërmendura do të jetë, të paktën, objekt dyfishimi. Verifikimi i instrumenteve matës ligjërisht të kontrolluar të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm, që kanë marrë miratimin e tipit dhe plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike, bëhet jo më pak se dy herë në vit dhe përfshin kontrollin dhe sigurimin e regjimit automatik.

Nëse qeveria kishte propozuar që e shtonte frekuencën e verifikimeve sipas analizës së riskut, propozimi im është që shtimi i verifikimeve të bëhet nëse problematikat janë jo më pak se 5 %. Pra nëse sipas qeverisë edhe për një prblematikë 1 % mund të kishte shtim frekuence, sipas versionit të miratuar do të ketë shtim frekuence vetëm nëse problematikat kalojnë 5 %.

Askush nuk shqetësohet për faktin se pompat e furnzimit të naftës kanë problematika të cilat rëndojnë mbi konsumatorët. Le të përmirësojnë operatorët e tregut të karburanteve, cilësinë e pompave. Le të ulin problematikat nën 5 % dhe nuk do të lindë nevoja që të kalohet në shtim të kontrolleve vjetore. Është shumë e thjeshtë. E kanë vetë në dorë.

Në mbyllje, i mbetet lexuesit të vlerësojë qoftë “kurvëritë inteklektuale”, qoftë kush është “lubrifikuar”, qoftë “kush gënjen”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat