Debati për Butrintin, Auron Tare: Menaxhimi nga të huajt s'i jep fund pjesës korruptive

Shqipëria

Debati për Butrintin, Auron Tare: Menaxhimi nga të huajt s'i jep fund pjesës korruptive

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 23:15
Auron Tare

Studiuesi Auron Tare tha për Ilva Now, në Euronews Albania se fondacioni që ka marrë përsipër të menaxhojë zonën arkeologjike të Butrinitit nuk e njeh fare atë.

Sipas tij, problemi që ka dalë nga kjo histori është se Butrinti do të menaxhohet nga fondacioni AADF, ndërkohë që nga ai vetë dhe studiuesit është ngritur shqetësimi se duhet të menaxhohet nga qeveria shqiptare.

Z. Tare këmbënguli në faktin se duhet të ishin specialistët shqiptarë ata që ta menaxhonin Butrintin, ose një fondacion shqiptar.

“Duhet të ishin shqiptarët që ta menaxhonin, por jo kurrsesi një fondacion që ndryshoi ligjin për t’i hapur rrugë menaxhimit të trashëgimisë kulturore nga fondacionet private, gjë që krijon një precedent të rrezikshëm edhe për qendra të tjera.

Dhe sot është bërë një plan tjetër menaxhimi pa praninë e asnjë specialisti shqiptar”, u shpreh z. Tare, ndërsa theksoi se ndryshe nga ç’ka thënë drejtuesi i AADF, Michael Granoff për Ilva Now një javë më parë se fondacioni që ai drejton i kishte dhënë fund korrupsionit në menaxhimin e biletave në Butrint, kjo gjë nuk kishte ndodhur.

“Publikisht kam ngritur shumë herë shqetësimin që menaxhimi  i biletave të Butritnit ka qenë korruptiv, por AADF s’i ka dhënë fund pjesës korruptive, pasi edhe 2-3 vitet e fundit biletarie nuk punon”, tha studiuesi.

Sipas tij, koncepti që ka fondacioni për të rritur numrin e vizitorëve të huaj në Butrint është diametralisht i kundërt me atë të të gjitha qendrave arkeologjike në botë, pasi vizitorët mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme në qendër.

“Dhe koncepti i tyre për ta bërë Butrintin Davos është gabuar dhe nuk i nevojitet Butrintit”, tha z. Tare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat