Nga Salianji, Shehu dhe Hasa, emrat e 13 ish-ligjvënësve dhe anëtarëve të Kryesisë që mbetën pa aprovim

Shqipëria

Nga Salianji, Shehu dhe Hasa, emrat e 13 ish-ligjvënësve dhe anëtarëve të Kryesisë që mbetën pa aprovim

Më: 24 tetor 2020 Në ora: 16:30
Foto Ilustrim

Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve për deputet dhe kryetar bashkie në Partinë Demokratike përfundoi dy ditë më parë fazën e tretë të filtrimit të kandidatëve.

Ndërkohë dje, dy listat me ata të kualifikuarit dhe me ata që iu shtyhet aprovimi iu dorëzua kryedemokratit Basha dhe Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi.

Në total nga anëtarësia janë konfirmuar 498 kandidatë, të cilët janë certifikuar nga Komisioni se përmbushin kriteret statutore për përfaqësimin politik të PD-së.

Nga 498 kandidatët e konfirmuar nga anëtarësia dhe që plotësojnë kriteret statutore për përfaqësim politik, Komisioni ka vlerësuar që 299 kandidatë nga listat e secilës degë dhe 27 kandidatë të listës kombëtare (në total 326), t’i propozohen organeve vendimmarrëse të Partisë për të qenë në listën finale të përfaqësimit të PD-së në zgjedhje.

Raporti i Komisionit do t’i nënshtrohet diskutimit dhe vendimmarrjes së Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, sipas përcaktimeve të Statutit të PDSH-së dhe afateve ligjore për përcaktimin e kandidatëve në zgjedhje.

Ajo që ra në sy në fazën e fundit të filtrimit të kandidatëve, ishte edhe mos konfirmimi i disa figurave të spikatura në selinë blu.

Ish-deputeti i Elbasanit dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë Endri Hasa mbahet mend për gjestin protestues në parlament duke i gjuajtur Kryeministrit Rama me vezë po ashtu në disa deklarata publike ka denoncuar aferat korruptive kryesish në fushën e teknologjisë.

Megjithatë, kontributet e tij nuk u vlerësuan të mjaftueshme nga 5-shja e Komisionit të Vlerësimit dhe shtynë aprovimin e kandidaturës së tij. Një tjetër emër surprizë që nuk u kualifikua ishte ish-deputeti Ervin Salianji.

Ky i fundit ishte i vetmi nga ish-deputetët e dalë nga 2017- a që u konfirmua nga votat e anëtarësisë në qarkun e Korçës. Po ashtu, Salianji ka denoncuar edhe rastin e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, kauzë e cila u mbështet fuqishëm nga kryedemokrati Basha dhe opozita.

Ai po ashtu ka qenë aktiv në debatet publike kundër qeverisë, por edhe në këtë rast komisioni ka vlerësuar se kontributi i tij nuk ka qenë i mjaftueshëm për tu kualifikuar.

SURPRIZAT NË QARQE

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve, i cili aplikohet për herë të parë në Shqipëri, rezervoi mjaft surpriza në të gjitha qarqet. Kështu në qarkun e Beratit ku në 2017- ën, PD-ja nxorri vetëm një deputet, Astrit Veliajn, anëtarësia me votën e saj tregoi se nuk ishte kënaqur me kandidaturën e tij dhe e skualifikoi me votë kontestuese.

Në Elbasan anëtarësia konfirmoi ish-deputetët Luçiano Boçin, Endri Hasën dhe Edmond Spahon, por komisioni skualifikoi z. Hasa.

Sakaq në Qarkun e Fierit, ndonëse u konfirmua nga anëtarësia, komisioni me 5 anëtarë skualifikoi ish-deputetin Luan Baçi, i cili ka qenë mjaft aktiv me denoncimin e çështjes së naftëtarëve në atë qark, por edhe çështjen e mbetjeve ku ka protestuar me banorët.

Në Gjirokastër komisioni i vlerësimit rrëzoi listën e 2017-ës. Në këtë qark rreth 4 vite më parë u zgjodh deputet vetëm Tritan Shehu, por ky i fundit u skualifikua nga komisioni me 5 anëtarë.

Në Lezhë nga tre despotët, u konfirmua vetëm një për të vijuar garën për të qenë në listë, ndërsa në Shkodër nga 4 ish-deputetë që ishin pjesë vetëm një u konfirmua, tre të tjerë u skualifikuan.

Mes tyre edhe anëtarja e kryesisë Izmira Ulqinaku. Ndërkohë, në Tiranë komisioni konfirmoi të gjithë kandidaturat.

TAKIMI NË PD

Pas lajmit se 13 ish-deputet dhe anëtarë kryesie u shty aprovimi për në një moment të dytë, kryedemokrati Lulzim Basha ka pritur në një takim tek e tek të gjithë ata, të cilët nuk ishin pjesë e listës së konfirmuar.

Burimet konfirmuan për gazetën “Panorama” se kandidatët e skualifikuar duhet të konsumonin të gjitha bisedat brenda 30 minutave, ndërkohë nuk bëhet me dije se çfarë kanë biseduar.

KUPOLA E PD

Që në fillim të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputet dhe kryetar Bashike nuk kanë pjesë e garës kupola e PD-së. Udhëzimi i publikuar më 25 qershor të këtij viti sanksiononte se kryetari i PD-së Lulzim Basha, sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi, dy nënkryetarët Edmond Spaho dhe Edi Paloka, si dhe ish-Kryeministri Sali Berisha dhe ish-Presidenti Bujar Nishani nuk do të bëhen pjesë e procesit.

Tritan Shehu ironizon vendimin e komisionit

Ndërsa emri i tij nuk është në listën e kandidatëve për deputetë nga ana e komisionit të vlerësimit në PD, Tritan Shehu përmes një reagimi në “Facebook” theksoi se vlerësimin e vërtetë për të e ka dhënë anëtarësia në Qarkun e Gjirokastrës.

Duke shprehur ironi për komisionin, Shehu thotë se vendimet i marrin organet statutore të partisë që nis me kryetari, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i Partisë.

“Në përgjigje të disa pyetjeve qe po më vine ne lidhje me hamendësi mediatike për një mendim negativ ndaj meje të një ‘komisioni’, po rendis disa rreshta. Se pari, realisht nuk dua te komentoj mendimet që mund të kenë për mua individë të ndryshëm, qoftë dhe pjesë e ndonjë ‘komisioni’, kjo do të me dukej e tepërt, jo e nevojshme dhe vlerësuese”, shkroi Shehu.

Komisioni i Vlerësimit

KRYESIA E PD

KANDIDATËT E KUALIFIKUAR

Dhurata Cupi, Konfirmuar
Enkelejd Alibeaj, Konfirmuar
Enno Bozdo, Konfirmuar
Fatbardh Kadilli, Konfirmuar
Flamur Noka, Konfirmuar
Florjon Mima, Konfirmuar
Grida Duma, Konfirmuar
Jorida Tabaku, Konfirmuar
Kreshnik Çollaku, Konfirmuar
Oerd Bylykbashi, Konfirmuar
Orjola Pampuri, Konfirmuar
Tomorr Alizoti, Konfirmuar
Belind Këlliçi, Konfirmuar
Çlirim Gjata, Konfirmuar
Ina Zhupa, Konfirmuar
Ivi Kaso, Konfirmuar
Ervin Minarolli, Konfirmuar
Alfred Rushaj, Konfirmuar
Albana Vokshi, Konfirmuar

KANDIDATËT QË U SHTYHET APROVIMI

Endri Hasa Shtyhet aprovimi
Izmira Ulqinaku Shtyhet aprovimi
Arben Kashahu Shtyhet aprovimi

GRUPI PARLAMENTAR
ISH-DEPUTETËT E KUALIFIKUAR

Luçiano Boçi, Kualifikohet
Genc Pollo, Kualifikohet
Isuf Çela, Kualifikohet
Aldo Bumçi, Kualifikohet
Bardh Spahia, Kualifikohet
Gent Strazimiri, Kualifikohet
Agron Shehaj, Kualifikohet

ISH-DEPUTETËT QË U SHTYHET APROVIMI

Astrit Veliaj, U skualifikua nga anëtarësia
Xhemal Gjunkshi Shtyhet aprovimi
Luan Baçi Shtyhet aprovimi
Tritan Shehu Shtyhet aprovimi
Ervin Salianji Shtyhet aprovimi
Lindita Metaliaj Shtyhet aprovimi
Andon Frrokaj Shtyhet aprovimi
Romeo Gurakuqi Shtyhet aprovimi
Izmira Ulqinaku Shtyhet aprovimi
Lorenc Luka Shtyhet aprovimi
Nadire Meçorapaj Shtyhet aprovimi
Klevis Balliu U skualifikua nga anëtarësia
Hekuran Hoxhalli U skualifikua nga anëtarësia
Valentina Duka Është tërhequr nga politika

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat