Meta për 75-vjetorin e OKB-së: Anëtarësimi i Kosovës, faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon

Shqipëria

Meta për 75-vjetorin e OKB-së: Anëtarësimi i Kosovës, faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon

Më: 24 tetor 2020 Në ora: 19:50
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur 75-vjetorin e krijimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara e cila përkon dhe me 65-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në të.

Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se OKB është gurthemeli i një bashkëpunimi mes shumë shteteve. Presidenti shkruan se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon.

Ai ka shprehur mirënjohjen për ndihmën e saj ndaj Shqipërisë gjatë periudhës së pandemisë si dhe të tërmetit tragjik të nëntorit të kaluar.

Postimi i plotë:

"Në këtë jubile të rëndësishëm, të 75-vjetorit të themelimit të OKB, që përkon me 65-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në të, besojmë thellësisht se Kombet e Bashkuara, mbeten ende gurthemeli i një bashkëpunimi shumëpalësh të bazuar në rregulla, nga i cili përfiton bashkësia globale si e tërë.

Shqipëri ka përqafuar dhe ka zbatuar parimet e Kartës së OKB-së dhe ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në të mirë të paqes dhe sigurisë, sepse besojmë fort se multilateralizmi është thelbësor për trajtimin e sfidave globale.

Në këtë 75-vjetor të Organizatës sonë, shprehim mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që kemi marrë nga OKB, që provoi edhe në këtë vit fatkeqësish natyrore për vendin tonë, se ishte një partnere e vërtetë, veçanërisht me ndihmën e dhënë për tejkalimin e pasojave të tërmetit tragjik dhe përballimit të COVID-19.

Duke uruar, në këtë përvjetor, një të ardhme sa më të ndritur për Organizatën tonë dhe të gjitha vendet e saj anëtare, do të dëshiroja të riafirmoja dhe një herë mbështetjen e përkushtuar të Shqipërisë për një rend të mirëbazuar në rregulla, të reformuar dhe ripërtërirë, me Organizatën e Kombeve e Bashkuara në qendër të tij.

Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është faktor i rëndësishëm i sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe anëtarësimi i saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu Kombet e Bashkuara, do të sillte përfitime jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë bashkësinë ndërkombëtare" - shkruan Meta në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat