Të rrezojmë Sulltanin që të ikë Ayatollahu

Shqipëria

Të rrezojmë Sulltanin që të ikë Ayatollahu

Nga: Azgan Haklaj Më: 28 tetor 2020 Në ora: 11:40
Azgan Haklaj

Shqipëria si asnjë vend tjetër ish komunist ka mbetur peng i politikës së vjetër komunisto- bizantine e për më tepër tash së fundi  i është shtuar edhe dimensioni neootomanist Erdoganist dhe shpikja e dyshes sundimtare Rama - Berisha e rajonizimit të politikës përmes puçit kushtetues të vitit 2008, i cili në aspektin politiko- juridik është defakto një puç kushtetues dhe një ndarje e shëmtuar e Shqipërisë në tre pashalleqe, të jugut, veriut dhe Shqipërisë së mesme, një krijesë kjo që e ka zanafillën qysh në vitet 20- të, të shekullit të XX-të, kur Tirana u caktua si kryeqytet i përkohshem i Shqipërisë.

Me ndryshimet kushtetuese, ndryshimin e sistemit të zgjedhjeve e ndarjen e re administrative dyshja Rama- Berisha synuan dhe ata po bëjnë noterizimin e sundimit të tyre politik dhe ekonomik, e pas kësaj me rajonalizimin e politikës e zhvendosjen e gravitetit të saj në atë që mendjet e mbrapshta e separatiste e quajnë "Shqipëri e mesme" synohet të zhduken dalëngadalë dy polet më të rendësishme të cilat janë krahët e shqipes së Atdheut, të historisë, kulturës, patriotizmit e shtetformimit të tij, ai i veriut dhe jugut.

Del kështu qartazi e në dritë të diellit se Ayatollah Berisha e Sulltan Rama janë të gatshëm të sundojnë në "Shqipërinë e mesme", një territor i përcaktuar  nga Konferenca e Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915-të.

A nuk shihte ky traktat ndarjen e Shqipërisë mes grekëve në jug e serbëve në veri dhe ekzistencën e një principate të vogël në "Shqipërinë e mesme"?!.

Dalja e Serbisë në Adriatik sot është prapë në marrveshjen e Esat Pashës me kryeministrin serb Nikolla Pashiq, e qëllimi i saj ka qenë pikërisht ndertimi i një kordoni të hekurt për të ndarë gegët nga toskët, simbolet e racës shqiptare dhe shpirtin e lirisë dhe qëndresës kombëtare për liri e pavarësi ndaj armiqëve tanë shekullor të jugut dhe veriut.

Kush ka lexuar librin "Perlindje" të akademikut e patriarkut të letrave shqipe Gjergj Fishta, libër që është bibla e patriotizmit dhe e mendimit politik shqiptar, botuar nga Frano Kulli do të shohë se ideja e Mehdi Frashërit dhe e kalemxhinjëve të tjerë për të përcaktuar "Shqipërinë e mesme" si qendër e patriotizmit dhe për të përcaktuar veriun dhe jugun shqiptar si seperatistë e nën ndikimin e "ideologjive" të huaja ka marrë pergjigjen e merituar nga Kolosi i Kombit Shqiptar.

Veriu dhe jugu shqiptar kanë përcaktuar në të gjitha kohërat fatin e Kombit Shqiptar e kështu edhe sot e në të ardhmen.

Këtë na mëson historia e Pirro i Epirit, Teuta e Shkodrës, Dhimitri i Arbërit e Despotati i Arbërit, Gjergj Kastrioti i Krujës e Gjergj Arianiti i Kaninës, Bushatllinjtë e Shkodrës e Ali Pasha i Janinës, e më në fund Ismail Qemali i Vlorës e Isa Boletini i Kosovës.

Mbreti Zog u shpall përmes një beteje diplomatike të ashpër me grekët dhe serbët e armiqtë e Shqipërisë mbret i të gjithë shqiptarëve sepse devizë e jetës së tij ishte:

"Atdheu mbi të gjitha" dhe kauza e tij politike e patriotike bashkimi i Kombit Shqiptar rreth Flamurit të Gjergj Kastriotit.

Ayatollahu e Sulltani janë vëllezër siamezë të politikës.

Bajraktarizmi, provincializmi dhe etja e shfrenuar për pushtet e pasuri janë lejtmotivi i jetës së tyre.

Ata janë si dy enë komunikuese që nuk bëjnë dot pa njëra tjetrën.

Kur ju intereson loja e prapaskenave politike bashkohen si vëllezërit mitologjikë Dioskurë, e kur ashtu e don puna për ti hedhur hi syve opinionit publik e atij ndërkombëtar shkëmbejnë "akuza" të ashpra ashtu si Erdogani me Gylenin.

PS dhe PD janë peng i tyre e ky është një fakt i trishtueshëm, sepse këto parti kanë qenë për 30- të vjet protagoniste të politikës, të pluralizmit shqiptar, ideatore e realizuese të reformave politike, ekonomike e sociale për të integruar Shqipërinë në familjen Euroatlantike.

Edi Rama ja arriti të shkatërrojë PS- në dhe e zevendësoj me krijesën e shëmtuar e kriminale me emrin "Rilindje".

Ayatollah Berisha në anën tjetër po bën në kordinim me Sulltan Ramën të gjitha përpjekjet për të mbajtur peng PD- në dhe lidershipin e saj politik e për të vënë nën kontroll e në sherbim të klanit familjar e të grupeve me të kaluar komuniste e ish bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit dhe të agjenturave armike të Shqipërisë.

Politika e jashtme e Shtetit Shqiptar në kohën e Ayatollahut e sot në kohën e Sulltan Ramës është vite drite larg parimeve të hapsirës së BE -së dhe të vendeve të Atlantikut të Veriut.

Këto organizma politike e ushtarake më të fuqishmet që kombet e lira kanë njohur në histori janë ngritur e fumksionojnë në bazë të parimeve krejt të tjera nga ato të cilat i zbatojnë binomi Berisha- Rama.

Europa dhe SHBA- ja e delegojnë pushtetin e sovranit tek përfaqësuesit e tyre të cilët mandatohen në pushtet përmes votës së lirë të drejtëpërdrejtë e të pamanipulueshme.

Kështu garantohet më së miri pushteti e autoriteti i sovranit dhe qeveritarët e konsiderojnë veten sherbëtor të popullit, e nga kjo devizë rrjedh detyrimi moral e ligjor për një qeverisje transparente në sherbim të qytetarëve. 

Sundimtarët tanë përkundrazi e konsiderojnë shtetin si çiflig të tyre me të cilin mund të bëjnë çfarë të duan, ta privatizojnë e pastaj ta shesin në treg për 200 aspra.

Shqipëria 1 euro e Berishës dhe PPP- të e Ramës kanë gllabëruar çdo pasuri të rendësishme strategjike për të sotmen dhe për të ardhmen e Shqipërisë, tokën dhe detin, malet dhe fushat sektorët jetikë të naftës, minierave, energjetikës, portet, aeroportet, e tani ju ka mbetur vetëm ajri për ta shitur tek ndonjë kompani vendase apo e huaj.

Sundimi me Maliq e ligj kërkon patjetër një parlament të mbushur me trafikantë e horra të politikës, me njerëz të cilët në emër të posteve e privilegjeve që ju siguron një qeveri e korruptuar janë gati të shesin në tregun e skllavërisë politike e morale veten dhe familjet e tyre.

Kjo është arsyeja madhore që sundimtarët tanë dhe klani i tyre peshkojnë në të katër anët e vendit deputetë me mizë nën kësulë, të cilët janë peng i të kaluarës së tyre e  familjes politike,  japin garanci të rrinë sus e të përmbushin të gjitha deshirat e padronëve të tyre.

Marrveshja Rama -Berisha për tu dhënë fund të gjitha alternativave të tjera politike ishte një pakt kriminal qëllimi i vetëm i të cilit të përjetesojë sundimin e tyre duke qenë të gatshëm që këtë çmim ta paguajnë shqiptarët dhe e ardhmja e tyre.

Qytetarët e këtij vendi duhet të rrezojnë me votë plebishitare Sulltanin që është timonieri i pushtetit e pastaj të bjerë ëdhe Ayatollahu plak që derigjon në prapaskenë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat