Gjoba ndaj të pabindurve, Policia e Shtetit ndëshkon 706 qytetarë

Shqipëria

Gjoba ndaj të pabindurve, Policia e Shtetit ndëshkon 706 qytetarë

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 15:33
Foto Ilustrim

Policia e Shtetit ka vijuar me “dorë të hekurt” duke ndëshkuar qytetarët që refuzojnë të mbajnë maskën në rrugë.

Ditën e sotme Policia e Shtetit bën të ditur se ka ndëshkuar me gjobë 706 qytetarë, të cilët janë gjetur pa barrierën mbrojtëse në rruge.

“U konstatuan duke lëvizur pa maska, ndëshkohen me masë administrative 706 qytetarë.

Strukturat  e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Në zbatim të masave anticovid, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, nga Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 706 qytetarë që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse”, thekson Policia e Shtetit.

Ndërkohë që në komunikimin e përditshëm për mediat, thekson se ka patur dhe nga ata shtetas të cilët kanë refuzuar të tregojnë dokumentet e identifikimit.

“Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, të respektohet me rigorozitet vetëkarantinimi i detyrueshëm nga ata qytetarë që janë të prekur me COVID-19, pronarët e lokaleve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19”, thekson Policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat