Pompeo lavdëron Shqipërinë në luftën kundër anti-semitizmit

Shqipëria

Pompeo lavdëron Shqipërinë në luftën kundër anti-semitizmit

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 22:13
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo paralajmëroi se anti-semitizmi ka shënuar ngritje viteve të fundit në botë, por shqoi Shqipërinë si vend shembull dhe ftoi shtetet e tjera me shumicë myslimane që të ngrisin zërin kundër këtij fenomeni.

Në konferencën e parë rajonale “Forumi Ballkanik kundër Anti-semitizmit 2020”, nikoqir i së cilës ishte Kuvendi i Shqipërisë, sekretari Pompeo bëri thirrje që kjo dukuri të luftohet me vendosmëri.

“Jemi këtu për shkak se anti-semitizmi fatkeqësisht vazhdon të jetë në mesin tonë dhe e ndajmë përgjegjësinë ndaj atyre para nesh për ta shkatërruar. Mund t’ia dalim. Së pari, duhet ta identifikojmë këtë kërcënim dhe ta kuptojmë qartazi. Falë një urdhri ekzekutiv të presidentit (të SHBA-së, Donald) Trump në dhjetorin e vitit te kaluar, e tërë Qeveria federale amerikane e ka miratuar përkufizimin e anti-semitizmit sipas Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit dhe i kemi inkurajuar kompanitë dhe qeveritë e vendeve tjera ta bëjnë të njëjtën gjë,” deklaroi Pompeo gjatë një adresimi përmes video-linkut.

“Detyra për ta luftuar anti-semitizmin është urgjente, në veçanti pasi kemi parë rritje shqetësuese të dukurisë gjatë pandemisë”, shtoi ai.

Pompeo, duke lavdëruar përpjekjet e Shqipërisë për ta përkujtuar Holokaustin dhe një sërë iniciativash tjera në promovimin e tolerancës, u shpreh optimist në ngritjen e popujve kundër urrejtjes së hebrenjve.

“Si një i krishterë që i flet një audience të një shteti me shumicë myslimane për t’u ngritur kundër urrejtjes ndaj hebrenjve, më duhet të them se kam shumë shpresë. Ekziston unitet mes besimtarëve të feve të Abrahamit dhe shumë të tjerëve”, u shpreh ai.

Kjo konferencë rajonale, e cila u mbajt online për shkak të pandemisë së koronavirusit, mblodhi zyrtarë nga Izraeli dhe liderë e ekspertë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova, e cila po merr pjesë për herë të parë bashkërisht me Izraelin pas njohjes së pavarësisë nga kjo e fundit më 4 shtator.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se anti-semitizmi është një kërcënim real, që shkon përtej asaj që shënjestron.

“Të përpiqemi të ndërgjegjësojmë se anti-semitizmi është një kërcënim real që shkon përtej asaj që shënjestron. Së fundmi kuvendi miratoi rezolutën e hartuar nga Shoqata e Përkujtimit të Holokaustit, por pa dashur të marr më shumë kohë nga koha juaj e çmuar, dua të them se kërcënimi më i madh me të cilin duhet të përballemi e ta krahasojmë me diçka të përhershme, nuk është vetëm shprehja e menjëhershme e anti-semitizmit në formën e vet më të dhunshme, por është relativizmi, i asaj që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore që është realisht burimi i kryerjes së kësaj të keqe mjaft të madhe nëse s’do jemi të bashkuar që ta shterojmë këtë burim”, tha Rama.

Ai tha shtoi se përfaqëson një vend “që është mishërim i mbrojtjes së hebrenjve dhe i luftës së ekstremizmit të dhunshëm”.

Javën e kaluar, Shqipëria, e cila renditet në mes shteteve që Izraeli i shquan si “të drejtë ndër kombet” për vendosmërinë e saj për t’i strehuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, u bë shteti i dytë pas Kosovës me shumicë myslimane të besimtarëve, që miratoi definimin e anti-semitizmit të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit.

Sipas raportit të Qendrës Kantor për studimin e çështjeve hebreje në Evropë, pranë Universitetit te Tel Avivit, 456 sulme të dhunshme anti-semite janë regjistruar në vitin 2019 ose 18 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë.

Qendra po ashtu ka paralajmëruar për përhapjen e anti-semitizmit në internet në formën e teorive konspirative që lidhen me përhapjen e pandemisë COVID-19.

Sipas tyre, kjo klimë anti-semite promovohet nga grupet me ideologji ekstreme të djathtë, qarqe fanatike të krishtera, islamiste, si dhe grupe me ideologji ekstreme të majtë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat