Buxheti 2021/Lleshaj kërkon më shumë para e policë, shpërblime për shërbimin gjatë pandemisë

Shqipëria

Buxheti 2021/Lleshaj kërkon më shumë para e policë, shpërblime për shërbimin gjatë pandemisë

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 18:16
Ministri Sandër Lleshaj

Ministria e Brendshme ka kërkuar shtimin e numrit të policëve si dhe më shumë fonde për vitin 2021. Përballë Komisionit të Sigurisë, ministri Sandër Lleshaj, ka theksuar se investime duhen dhe për trajnimin e tyre por dhe në përmirësimin e laboratorëve.

Ministria e Brendshme kërkon nga qeveria që në buxhetin e vitit të ardhshëm të ketë një rritje të pagës apo trajtim financiar për punonjësit e policisë të cilët janë përballur me situatën e pandemisë.

Kjo kërkesë u paraqit nga ministri Sandër Lleshaj në Komisionin e Sigurisë, i cili evidentoi përballjen e forcave të rendit në mënyrë të drejtpërdrejtë me qytetarët.

“Nëse do të kishte hapësirë do të duhej që e gjitha të shkonte në funksion të motivimit të këtij personeli përmes një rritje apo trajtimi financiar të caktuar aq sa do të ishte e mundur.”

Sipas Ministrisë së Brendshme, Policia e Shtetit ndodhet në vështirësi në shumë drejtime ndaj është e nevojshme për të investuar.

“Nevoja të mëdhaja kemi për laboratorin e policisë së shtetit, policia e shtetit ka nevojë për një sistem komunikimi modern në të gjithë territorin e Shqipërisë. Projekte të tjera të rëndësishme janë ato që lidhen me futjen e mjeteve të monitorimit ajror, droneve, helikopterëve, kapaciteteve që policia e shtetit ka nevojë të ketë.”

Një tjetër mangësi e policisë është dhe përfaqësimi në komunitet, ndaj kërkohet buxhet për rritjen e kapaciteteve duke qenë se vitin e ardhshëm pritet të mbahen dhe zgjedhjet parlamentare.

“Duke marrë parasysh që policia e shtetit dhe struktura të tjera të Ministrisë së Brendshme do të kenë ngarkesë të madhe me shërbime në vitin 2021 për shkak edhe të përgjegjësive të reja që marrin edhe në kuadër të Kodit të Ri Zgjedhor”.

Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë, Ministri i Brendshëm tha se të ardhurat e përfituara nga gjobat, do të investohen për sigurinë rrugore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat