A rrezikohet Shqipëria nga një tërmet si ai i Turqisë?

Shqipëria

A rrezikohet Shqipëria nga një tërmet si ai i Turqisë?

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 22:50
Llambro Duni

 

Sizmologu Llambro Duni ka komentuar situatën që po kalojnë Greqia dhe Turqia, të cilat u tronditën mesditën e së premtes nga lëkundjet e forta të një tërmeti me magnitudë mes 6.6 dhe 7 të shkallës rihter.

Duni tha se tërmeti ishte tejet i fortë dhe u regjistrua edhe nga Qendra Shqiptare e Monitorimit të Aktivitetit Sizmik.

“Tërmeti ka rënë në zonën e Egjeut, që njihet si strukturë tektonike, e cila është e rrethuar nga epiqendra tërmetesh të forta. Edhe Instituti ynë e ka regjistruar dhe ka bërë vlerësimet e veta. Ishte tërmet shumë i fortë dhe për shkak të thellësisë relativisht të vogël [të epiqendrës] efekti në sipërfaqe i kësaj ngjarjeje është shumë i madh dhe raportimet e para flasin për diçka të tillë për energji shumë të madhe të çliruar,” – u shpreh Duni.

Sizmologu shqiptar tha se do të ketë pasgoditje më të vogla krahasuar me lëkundjen më të madhe të fiksuar në magnitudën 7.

“Për sa i përket cunamit, në Mesdhe ka pasur raste dhe ka mundësi për cunami, por personalisht mendoj se nuk do të ketë në këtë rast sepse lëkundjet kanë ndodhur pranë kontinentit, ndaj mendoj se thjesht do të ketë dallgë jo të konsiderueshme,” – shtoi më tej sizmologu në intervistën për euronews.

I pyetur nëse lëkundjet në Egje mund të nxisin lëkundje edhe në zona të tjera, si për shembull në Shqipëri, Duni tha se zona në fjalë është e veçuar nga njësia sizmike e Adriatikut ku është pozicionuar vendi ynë.

“Jo! Kjo është një njësi tektonike e veçuar, pllaka e Egjeut vepron më vete dhe nuk ka lidhje me pjesën tjetër të Adriatikut ku është pozicionuar dhe vendi ynë, dhe padyshim nuk ka të bëjë me të,” – tha Duni.

Autoritetet turke e raportuan tërmetin në magnitudë 6.6 me vendndodhje zonën e detit Aegan me thellësi 16.5 kilometra.

Ndërkohë që Qendra Evropiane e Sizmologjisë e fiksoi atë me magnitudë 6.9 dhe epiqendër 13 kilometra në verilindje të ishullit grek Samos në Egje.

Krejt ndryshe Qendra Amerikane e Vëzhgimit Sizmik e fiksoi në magnitudën 7 të shkallës Richter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat