Portet dhe aeroporti në masa të larta sigurie pas sulmit në vjenë deri në fundviti

Shqipëria

Portet dhe aeroporti në masa të larta sigurie pas sulmit në vjenë deri në fundviti

Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 15:13
Foto ilustrim

Sulmet e fundit terroriste që ndodhën në Francë dhe ato në Austri mbrëmjen e së hënës, detyruan që shumë vende evropianë të rrisin nivelin e sigurisë. Edhe vendi ynë ka marrë të njëjtin vendim.

Burime të Top Channel, nga Policia e Shtetit, bëjnë me dije së tashmë në ambientet publike, do të ketë agjentë të antiterrorit, shërbime civile e ndërsa në rrugë do të ketë patrulla të shtuara të policisë. Kjo do të thotë që niveli i sigurisë kalon nga jeshile në portokalli.

Kryesisht, nën kujdes të rreptë nga Antiterrori dhe policia do të jenë aeroporti i Rinasit, portet dhe pikat e kalimit kufitar të vendit tonë, për të pasur nën kontroll të gjitha hyrjet dhe daljet e personave të cilët janë të dyshuar për akte terroriste apo të atyre që janë skeduar si ekstremistë.

Kjo siguri e shtuar do të përfshijë trupat dhe shërbimet diplomatike në vendin tonë, siç është blloku i ambasadave në Tiranë apo misionet e huaja.

Kjo nënkupton që Antiterrori shqiptar, do të jetë në konkat të shkëmbimit të informacioneve edhe me partnerët në vendet e tjera evropiane, në raste të dyshimeve të arsyeshme për sulme të mundshme terroriste.

Këto masa do të jenë në fuqi deri në fund të këtij vitit, për shkak se në vijim janë festat kombëtare të 28 dhe 29 nëntorit, si edhe festat e fundvitit.

Në rastet e mëparshme të sulmeve terroriste që kanë ndodhur në vende të tjera të Evropës apo rajonit, Antiterrori në vendin tonë, ka kaluar në gjendje gatishmërie, ndërsa këtë herë pritet që agjentët të jenë të pranishëm në terren.

Megjithatë, policia e shtetit nuk e konfirmon zyrtarisht këtë rritje të nivelit të sigurisë, për shkak se deri tani në vendin tonë nuk ka pasur dyshime për sulme të mundshme, por burime të sigurta  konfirmojë se niveli i sigurisë, do të rritet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat