Gati ligji për Presidentin, mazhoranca: Zgjidh ngërçet artificiale, nuk ka kufizime të kompetencave

Shqipëria

Gati ligji për Presidentin, mazhoranca: Zgjidh ngërçet artificiale, nuk ka kufizime të kompetencave

Më: 6 nëntor 2020 Në ora: 11:10
Ilir Meta

Mazhoranca e ka gati ligjin për Presidentin e Republikës. Në një prononcim të shkurtër për mediat, deputeti socialist Adnor Shameti dha detaje të reja rreth këtij ligji. Ai u shpreh se me të marrin fund ngërçet artificiale.

“Në lidhje me hartimin e ligjit organik për presidentin e Republikës, i dhamë dorën e fundit dhe disa detajeve që ishin përcaktuar në këtë ligj.  Dua të sqaroj që hartimi i një ligji për organizimin dhe funksionimin e institucionit të presidentit të Republikës ka qenë një domosdoshmëri dhe detyrim kushtetues që i lindte parlamentit. Është një ligj organik, që sa kohë bëjmë fjalë për një institucion kushtetues duhet të jetë i tillë, me shumicë të cilësuar. Ky ligj organik ka analizuar dhe elaboruar në detaje të gjithë procedurën që Presidenca duhet të ndjekë në ushtrimin e kompetencave të veta kushtetuese. Me këtë ligj marrin fund të gjitha ngërçet artificiale, apo problematika artificiale të lindura në vitet e shkuara dhe të mbartura në të ardhmen duke pasur parasysh Kushtetutën”, tha Shameti.

Deputeti i mazhorancës u shpreh se ligji nuk kufizon kompetencat e Presidentit por elaboron të drejtat e tij. Drafti ka 45 nene dhe Shameti u shpreh se është një ligj i kompletuar.

“Nuk bëhet fjalë për kufizime të kompetencave të Presidentit është elaborimi i të gjitha të drejtave të presidentit. Grupi i punës ka përfunduar draftin e hartimit të ligjit dhe ky draft i dakordësuar do t’i nënshtrohet procedurave parlamentare ku do të depozitohet në Kuvend dhe pastaj do të vijojë puna normale që do jetë gjithëpërfshirës, dhe do diskutohet dhe në Komisionin e Ligjeve. Është një ligj i kompletuar nuk është për privilegjet e presidentit, por i jep fund ngërçeve artificiale, ka 45 nene në tërësinë e tij dhe të gjitha problematikat që ju i ngrini gjejnë zgjidhje”, tha Shameti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat