Zbardhen udhëzuesit për Maturën 2021/ Ja formulari dhe kalendari me datat e aplikimit

Shqipëria

Zbardhen udhëzuesit për Maturën 2021/ Ja formulari dhe kalendari me datat e aplikimit

Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 18:51
Foto Ilustrim

Si çdo vit, Ministria e Arsimit hap procesin e Maturës Shtetërore 2021.

Ende pa u bërë dy muaj shkollë, që në datën 6 nëntor, ministrja Evis Kushi ka firmosur formularin e aplikimeve për në universitet bashkë me datat dhe programet orientuese për nxënësit e viteve të fundit, gjimnaz. Aplikimi nis këtë të martë dhe zgjat deri në 10 dhjetor, bazuar në një kalendar datash sipas tabelës bashkëngjitur. Ajo çfarë duhet të bëjnë ky brez maturantësh është përzgjedhja që tani e lëndës ku do të testohen në qershor, e cila ka rol kyç në garën universitare.

FORMULARËT

Përveç ndryshimit vjetor, asgjë e re në formularin e aplikimeve për maturantët e rinj e të vjetër. Gjithë çfarë plotësohet janë të dhënat personale dhe shkollore, midis të cilave lënda ku maturantët priren të shkëlqejnë më shumë si dhe gjuha e huaj, provim të cilin e kanë me detyrim. Një pyetje e veçantë te rubrika e parë kërkon të zbulojë numrin e maturantëve që kanë ndërmend të studiojnë jashtë vendit, jo vetëm si statistikë mbi orientimin e të rinjve, por edhe me qëllim për të përgatitur në kohë diplomat e pjekurisë. Në larminë e lëndëve që maturanti ka zhvilluar në gjimnaz, do të jenë vetëm tetë për shkollat e mesme të përgjithshme. Më të thjeshtë e kanë zgjedhjen të mesmet artistike me vetëm tri alternativa, ndërsa profesionalet janë plot 38 të tilla.

APLIKIMET

Nisin fillimisht në portalin qeveritar e-albania, një ditë më herët se starti i aplikimeve në portalin e maturës shtetërore dhe zgjasin më tepër në kohë, shtrirë sipas drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar. Durrësi nis i pari me dymbëdhjetë qytetet që përmbledh, maturantët e të cilëve kanë afat të aplikojnë brenda katër ditëve, nga 17-20 nëntor.

Procesi vijon me Drejtorinë e Fierit, Korçës e Lezhës, deri në shtatë dhjetor. Në po të njëjtën ditë që mbyllen aplikimet me formularët A1 nisin ato me A1Z, që s’janë veçse një shans për t’u futur në garë për maturantët e viteve të kaluara. Edhe për këto të fundit ka një kalendar, duke u vënë një ditë kohë në dispozicion çdo drejtorie.

Brenda javës, komisioni shtetëror i maturës shtetërore duhet të mbledhë e të afishojë në çdo shkollë bazën e të dhënave, me qëllim që të korrigjohet në kohë ndonjë gabim i mundshëm që raportohet nga ana e maturantëve, proces, që duhet të përmbyllet deri në gjysmë të janarit të vitit që vjen.

Përpos situatës pandemike që po shkon drejt pikës kritike, puna për procesin e provimeve parashikohet të vijojë normalisht. Po në kohë rekord, përpilohen mjediset e provimit bazuar në numrin e të rinjve që plotësuan formularët, ndërsa deri në fund të muajit prill, komisionet e maturës do të kenë të dorë të gjitha të dhënat e maturantëve, me përjashtim të vitit të fundit për t’i hapur rrugë kështu vetëm sezonit të provimeve. Vitin e kaluar, katër provime, nga të cilat tre me detyrim e një me zgjedhje u dhanë në harkun kohor të dhjetë ditëve dhe nën masa të rrepta sigurie për shkak të pandemisë. Nëse jeta nuk i është kthyer normalitetit deri atëherë, të rinjtë do t’u nënshtrohen të njëjtave kushte.

RISITË E MATURËS

Ata që i drejtohen këtë vit universiteteve, nuk do ta kenë të lehtë t’i futen garës, jo më ta fitojnë. Një nxënës i nivelit nën mesatar ka vetëm një vit kohë për të rritur notën e të treja viteve, që është minimalisht 7, ndërsa për mësuesinë 8. Me një vendim në mes të vitit, këshilli i ministrave ka caktuar pragun mesatar për t’u futur në IAL, publike e private.

“Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2021- 2022 dhe në vijim, përkatësisht: a) Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë, minimalsht me notë mesatare 7. b)Në programet e studimeve të ciklit të parë bachelor, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë, minimalisht me notë mesatare 8”, citohet në VKMnë, datë 03.06.2020. Nuk ka ende një reagim nga të rinjtë, që e kanë parë të largët datën e hyrjes në universitet, ndërsa ekspertët e arsimit e kanë cilësuar këtë një vendim që priret të zhvendosë ryshfetin nga IAL-të në shkollat e mesme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat