Ulja e TVSH-së në bujqësi, Petrit Ago tregon pasojat që do ketë kjo qasje tek prodhuesit shqiptarë

Shqipëria

Ulja e TVSH-së në bujqësi, Petrit Ago tregon pasojat që do ketë kjo qasje tek prodhuesit shqiptarë

Më: 16 nëntor 2020 Në ora: 22:48
Petrit Ago

Prodhuesit thonë se nuk janë dakord me uljen e TVSH-së për bujqësinë, pasi kundërshton konceptin. Me një skemë tatimi 6% në hyrje dhe 20% në dalje, prodhuesit janë të mendimit se tregu do të deformohet .

Ish-drejtor i Tatimeve dhe biznesmeni në sektorin agro-industrial, Petrit Ago gjatë një interviste për Euronews Albania tha se ky ligj do të detyrojë bizneset të shesin në të zezë. Sipas tij, faturimi me 20% TVSH në dalje është kosto e shtuar për subjektet që veprojnë në këtë sektor kyç.

“Problemi që kemi ne është se në Shqipëri është vetëm ky ndryshim i legjislacionit, i taksave dhe asnjëherë këto nuk janë të qëndrueshme. Duke parë këtë fenomen kur unë grumbulloj qumështin, e grumbulloj 6% nga fermerët, bilez nga fermerët e bëj unë vetë-faturimin se fermeri ka NIP-tin por nuk ka faturë. Kjo është absurde, dhe kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Nëse një litër qumësht është 100 lekë të reja, unë TVSH me ligjin e vjetër kisha 20% në blerje dhe me ligjin e ri kam 6. Domethënë me ligjin e vjetër kisha 20 lekë për TVSH, me ligjin e ri 6 lekë për litër. Këto nuk rimbursohen, pasi unë e shes produktin do bëj çmimin pa dhe çmimin me TVSH herë 20%, dhe këtu çdo njeri qe blen produkte vendase blegtorale dhe bujqësore është i penalizuar me -14% pa filluar akoma loja. E gjithë kjo tepricë TVSH-je artificiale, që del bazuar në ligjin absurd. Unë do dëshiroja që këtu të kishte ndonjë përfaqësues të bërjes së ligjit”, tha ai.

Ai u shpreh se ky ligj është miratuar pa zhvilluar asnjë konsultë me grupet e interesit. Ish-kreu i Tatimeve në Shqipëri tha se ky ligj duhet riparë pasi cenon këdo që blen lëndë të parë nga fermerët.

“Janë strukur dhe nuk dalin në debat. Se ky ligj është miratuar për 25 sekonda, nuk është konsultuar me grupet e interesit, ky ligj nuk ka kaluar në qeveri dhe në parlament është miratuar në sekondat e fundit. Ky ligj i ka futur në rrugë të zezë, ose të shesin në të zezë, ose të falimentojnë. Ata që kanë bërë këtë ligj duhet t’i thërrasin mendjes. Me këtë ligj ata që blejnë lëndë të parë nga fermerët kanë dy rrugë: ose duhet të shesim në të zezë, ose të ndryshojnë ligjin”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat