Bashkia e Dibrës ka skualifikuar 5 konkurrentë në tenderin e pastrimit. Madje ankimin e subjektit e ka refuzuar. Është dashur ndërhyrja e Komisionit të Prokurimit Publik që pas shqyrtimit të dokumentave ka vendosur të detyrojë Bashkinë të shpallw fitues operatorin që më parë u përjashtua nga gara.
Një tender ku skualifikohen shumica e konkurrentëve, përfshirë dhe ata me ofertë më të ulët rezulton të jetë zhvilluar nga Bashkia e Dibrës, i shoqëruar më pas edhe me ankesa.
Ky institucion nën drejtimin e Dionis Imerajt ka hapur në fund të qershorit procedurën për blerjen e materialeve të pastrimit me një fond limit prej 1 milionë e 583 mijë lekësh të reja.
Thirrjes i janë përgjigjur 7 operatorë ekonomikë por 5 janë skualifikuar, 4 prej të cilave kishin paraqitur ofertat më të ulëta.
Në këtë mënyrë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka kualifikuar vetëm “Egian Med” sh.p.k me ofertën prej 1 milionë e 565 mijë lekësh dhe “Atlantik 3” sh.p.k me 1 milionë e 578 mijë lekësh.
Pas skualifikimit rezulton se subjekti “Murati D” sh.p.k ka paraqitur ankesë pranë Bashkisë së Dibrës, të cilës i argumenton se skualifikimi është i padrejtë dhe shkel plotësisht ligjin e prokurimit publik.
Por sërish, institucioni nën drejtimin e Dionis Imeraj i komunikon subjektit se ankesa nuk do të merret parasysh, kjo për shkak të afatit të paraqitjes së dokumentit për pagimin e kontributeve.
Kjo ka bërë që ankesa të arrijë deri në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili e ka konsideruar të drejtë pretendimin e operatorit duke kërkuar rikualifikimin e tij në garë.
Madje KPP i ka lënë afat Bashkisë së Dibrës 10 ditë për ta vënë në dijeni mbi zbatimin e këtij vendimi.
Kjo kërkesë nga ana e KPP-së ka bërë që fitues të shpallet subjekti ankimues Murati D shpk, i cili kishte ofertuar më pak se dy kompanitë e tjera të kualifikuara.