Nisja e bisedimeve me Tiranën e Shkupin, s’ka konsensus mes vendeve të BE-së

Shqipëria

Nisja e bisedimeve me Tiranën e Shkupin, s’ka konsensus mes vendeve të BE-së

Më: 18 nëntor 2020 Në ora: 06:15
Ilustrim

Përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian nuk arritën sërish të gjejnë të martën konsensus mes tyre për kornizën e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjë e cila do t’i hapte rrugën Konferencës së parë Ndërqeveritare mes dy vendeve dhe BE-së, që shënon dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim. Në përfundim të mbledhjes së ministrave për Çështjet europiane, përfaqësuesi i presidencës gjermane, ministri i Shtetit Michael Roth, kujtoi se që në pranverën e këtij viti të dyja vendeve të Ballkanit “u është hapur drita jeshile” për bisedimet e anëtarësimit “por tani duam të krijojmë kushtet konkret që kjo të bëhet e mundur. Do të donim që kjo të ndodhte gjatë presidencës sonë”, e cila përmbyllet në fund të dhjetorit.

Ndërsa për Shqipërinë, Holanda është shteti që ka ngritur dyshime serioze për përmbushjen e kushteve, një pengesë e madhe për procesin, që po i mban të lidhura me njëra-tjetrën të dy vendet, është bërë Bullgaria, për shkak të pretendimeve të saj ndaj Shkupit, lidhur me çështje të përkatësisë historike, të kulturës dhe gjuhës maqedonase. Duket se ky është dhe ngërçi kryesor, në të cilin vuri theksin dhe ministri gjerman, i cili, të paktën publikisht, nuk foli për ndonjë rezervë të ndonjë vendi anëtar ndaj Shqipërisë, madje tha se sipas tij Shqipëria i ka përmbushur kushtet. “Duhet të bëjmë dallimin mes konflikteve dypalëshe, pikave të fërkimit që ka ende mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nga njëra anë, dhe BE-së si një të tërë, nga ana tjetër. Eshtë e qartë se duam të ndihmojmë në gjetjen e zgjidhjeve të arsyeshme, se duam të eleminojmë të gjitha pengesat në mënyrë që konferencat ndërqeveritare të zhvillohen, pse jo dhe përgjatë presidencës sonë. Nuk është ky momenti që problemet dypalëshe ende të pazgjidhura të ngrihen, në nivel europian”

Edhe zëvendës presidenti i Komisionit europian Maros Sefkovic, i ngarkuar për Çështjet e Marrëdhënieve ndërinstitucionale, i mëshoi po ashtu pengesës që vjen nga Bullgaria, ndërsa tha se “një marrëveshje për kornizën e bisedimeve është afër vijës së finishit. Duhet të dyfishojmë përpjekjet, me qëllim që çështjet e ngritura nga Bullgaria kundrejt Maqedonisë së Veriut të gjejnë një zgjidhje dhe të arrihet në një marrëveshje për kornizat e bisedimeve. Ne duam që konferenca ndërqeveritare të organizohet sa më shpejt të jetë e mundur. Për këtë arsye Komisioni do të mbetet në komunikim të ngushtë me presidencën gjermane për të mbështetur këto përpjekje”.

Për ministrin gjerman në lojë është besueshmëria e vetë BE-së. “Duhet të japim sinjale të besueshmërisë së BE-së, dhe t’ja japim këtë sinjal Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të panumërta për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Është një rrugëtim shumë i gjatë dhe i vështirë, por tani duhet të nisim bisedimet konkrete”.

Në të njejtën linjë ishte dhe zëvendës presidenti i KE-së Sefkovic: “Besojmë se ky do të ishte një sinjal i fortë për të gjithë rajonin, se procesi i zgjerimit funksionon dhe prodhon rezultate”.

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Harvelyi, i pranishëm në mbledhjen e sotme shkruajti në Twitter se “Puna duhet të vazhdojë dhe është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje për kornizat negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që Konferencat Ndërqeveritare të mund të mbahen këtë vit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat