PD vazhdon insistimin: Fshehja e vdekjeve, kriminale

Shqipëria

PD vazhdon insistimin: Fshehja e vdekjeve, kriminale

Më: 21 nëntor 2020 Në ora: 14:28
Bardh Spahia

Partia Demokratike ka vijuar edhe sot denoncimet për fshehjen e numrit të vdekjeve nga koronavirusi në Shqipëri.

Në një deklaratë për media, Bardh Spahia tha se Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që nga denoncimi i kryetarit të PD-së Lulzim Basha.

“Që nga dita e enjte, kur kryetari i Partisë Demokratike denoncoi në emisionin Opinion shifrat e vërteta të vdekjeve nga COVID, Prokuroria nuk ka njoftuar asnjë veprim nga ana e saj. Numri i vdekjeve nga COVID, sipas dokumentacionit që bëri publik z. Basha, është shumë më i lartë se ai i bërë publik nga qeveria në komunikatat e përditshme”.

Sipas tij, fshehja e numrit të vdekjeve dhe dhënia e informacioneve të rreme për publikun nga ana e institucioneve shtetërore është kriminale dhe duhet të hetohet.

Ai i bëri thirrje Prokurorisë dhe SPAK-ut që të nisë urgjentisht hetimet, shkruan A2 CNN.

“Qytetarët presin nga prokuroria të mos heshtë. Heshtja 48 orëshe e Prokurorisë shton dyshimet se qeveria po bën gjithçka për të manipuluar të vërtetën. I bëjmë thirrje edhe një herë Prokurorisë dhe SPAK që të mos rrinë duarkryq dhe të lejojnë zhdukjen e provave, por të nisin urgjentisht hetimin”.

“Kjo është e vetmja mënyrë që e vërteta të mos fshihet, të bëhet publike për qytetarët dhe përgjegjësit të japin llogari përpara ligjit. Është e turpshme përpjekja e Edi Ramës për t’ju shmangur përgjegjësisë për dështimin katastrofik me pandeminë, si dhe për t’u fshehur pas punës heroike të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë”.

Duke vlerësuar punën e mjekëve gjatë pandemisë, Spahia theksoi se “Partia Demokratike dënon përpjekjet e Edi Ramës për të keqpërdorur politikisht kontributin e tyre të jashtëzakonshëm me qëllimin e ulët të fshehjes së të vërtetës për dështimin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat