Dogana e Kakavijës mbyllet për 24 orë. Kategoritë që përjashtohen nga vendimi

Shqipëria

Dogana e Kakavijës mbyllet për 24 orë. Kategoritë që përjashtohen nga vendimi

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 20:15
Foto Ilustrim

Pika kufitare e Kakavijës në Gjirokastër mbyllet për 24 orë duke nisur nga ora 7 e mëngjesit të ditës martë. 

Autoritetet greke i kanë dërguar një njoftim zyrtar palës shqiptare për mbylljen.

Shkak nuk është situata nga koronavirusi, por greva që po zhvillohet nga punonjësit e doganës greke.

Megjithatë disa kategori që renditen më poshtë do të mund të kalojnë.

Njoftimi:

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton të gjithë qytetarët dhe bizneset që kryejnë aktivitet import-eksport nëpërmjet pikës doganore Kakavijë, se do të jetë e mbyllur për 24 orë.

Autoritetet e Policisë greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kakavijë, sqarojnë se për shkak të grevës që do të zhvillohet nga punonjësit e doganës greke, do të ketë një ndërprerje të punës, duke filluar nga dita e nesërme, datë 24 nëntor, ora lokale greke 07:00 deri në orën 07:00 të datës 25 nëntor.

Sqarojmë se gjatë këtij harku kohor, si në hyrje dhe në dalje të doganës greke, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve si motoçikleta, autovetura, furgonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.

Sipas njoftimit të palës greke, përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla dhe automjetet për raste emergjente shëndetësore apo raste vdekjesh.

Dogana Shqiptare do të jetë në komunikim të vazhdueshëm për të informuar publikun dhe biznesin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat